Krivak për InfOSport: Pauza e gjatë ndikon formën, me punë kthehemi më të fortë

Shkëndija e Tetovës ka zhvilluar ndeshje futbolli pas më shumë se pesë muajve pauzë. Me sezonin e kaluar të ndërprerë në mes të marsit shkaku i pandemisë COVID-19, kuqezinjtë tetovarë të enjten luajtën takimin e parë testues për sezonin e ri kur në Gostivar fituan minimalisht 0:1 me golin e Omar Imerit. Për mbrojtësin sllovak Jan Krivak ky është një moment i rëndësishëm në drejtim të kthimit të formës optimale.

“Ishte shumë e gjatë pritja për të luajtur ndeshje futbolli dhe jemi të lumtur që pauza ka përfunduar, qoftë edhe për faktin se kjo e djeshmja ishte vetëm ndeshje kontrolluese”, shprehet Jan Krivak, i cili edhe pse nuk pati shumë punë kundër Gostivarit, gjithsesi u duk shumë komod në kombinim me Egzon Bejtullain e rikthyer në mbrojtje.

“Egzoni është një djalë shumë i mirë dhe një futbollist i shkëlqyer. Ka qenë një kohë të gjatë në klub dhe kthimi për të nuk është diçka e re. Edhe pse na pret shumë punë për të bërë, si ndeshje e parë pas kaq kohe duhet të jemi të kënaqur. Duke qenë se ndeshja kontrolluese me Gostivarin vinte pas më shumë se pesë muaj pauzë, ishte normale të kemi vështirësi, këmbët janë të rënda, ndjehet efekti i pauzës dhe me punë gjërat do të kthehen në normalitet. Pauza e gjatë ndikon formën tonë, por me punë besoj të kthehemi më të fortë”, përfundoi Krivak.

Leave a Reply