Naumovski: Struga Trim Lum na ka borxh, e paguajnë nesër!

FC Shkupi – Struga Trim Lum pritet të jetë një ndër ndeshjet më interesante të javës së 18-të në elitën e futbollit vendor, me ç’rast edhe zyrtarisht mbyllet pjesa e parë e sezonit 2019/2020, njofton “infOSport.mk”.

Të dyja skuadrat kanë bërë mirë këtë edicion, me “bardhekaltërit” nga Çairi, që madje janë në garë për titullin e kampionit. Mirëpo nuk qëndron aspak keq edhe Struga Trim Lum, që me 25 pikë (8 më pak se kundërshtari) renditet në pozitën e katërt, ndërsa mbi të gjitha kjo skuadër do të luaj edhe në ndeshjet gjysmëfinale të Kupës.

Në prag të këtij takimi, nga tabori i skuadrës së FC Shkupit ka folur portieri Kristijan Naumovski, i cili thotë se Struga Trim Lum i ka borxh skuadrës së tij, pas asaj disfate 2:0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Strugë. Sipas gardianit të shkupjanëve, ekipin strugan tashmë pritet të kthejë këtë “borxh”, duke aluduar në këtë mënyrë në fitore për skuadrën e FC Shkupit.

“Na pret një ndeshje shumë e vështirë me ekipin e Struga Trim Lum, ekip që na ka borxh nga rrethi i parë, kur kishim humbur me rezultat 2:0 në Strugë dhe tani duhet që ti kthej pikët pas. Pas dy ndeshjeve që i mbyllëm me barazim kundër Vardarit dhe Renovës, nuk kemi më të drejtë për humbje pikësh, shkojmë për tre pikë dhe asgjë tjetër, nuk kemi hapësirë për kalkulime, tani më Shkëndija na ikë me gjashtë pikë diferencë dhe duhet që tu kthehemi fitoreve. Po luajmë shumë mirë, po krijojmë shumë raste për të shënuar, por ja që edhe fati nuk ishte me ne në dy ndeshjet e fundit. E respektojmë ekipin e Strugës, ekip që ka futbollistë me përvojë, të udhëhequr nga një trajner mjaft i mirë, por ne luajmë në shtëpi dhe nuk kemi zgjidhje tjetër përveç se të fitojmë dhe në fund me fitore ti gëzojmë edhe tifozët tanë dhe me fitore ta mbyllim gjysmë sezonin”, – ka thënë portieri Kristijan Naumovski.

Ndeshja midis FC Shkupit dhe Struga Trim Lum do të zhvillohet në njërin nga stadiumet e kompleksit sportive pranë FFM-së, me fillim në ora 13:00.

Leave a Reply