Spektakël në “Olld Traford”, Junajtedi dhe Evertoni barazojnë në një ndeshje me 6 gola (VIDEO)

Mançester Junajtedi dhe Evertoni kanë dhuruar spektakël në “Olld Traford” në ndeshjen e vlefshme të javës së 23-të në Premierligë, duke barazuar në fund me shifrat 3:3, njofton “infOSport.mk”.

Sfidën e zhbllokoi uruguaiani, Edinson Kavani në mesin e pjesës së parë. Kros i bukur i Rashford nga e djathta dhe finalizim me kokë i “El Matador”.

Junajtedi gjeti një tjetër gol në minutën e fundit të pjesës së parë, këtë herë me autorë Bruno Fernandesh, që në këtë mënyrë realizoi golin e 12-të sezonal.

Megjithatë edhe përkundër këtij disavantazhi, Evertoni gjeti forcën në fillimin e pjesës së dytë, kur brenda 3 minutave shënoi dy gola për barazim të rezultatit.

Francezi Abdulaje Dukure në minutën e 49-të ngushtoi epërsinë e “Djajve të Kuq” në 2:1, ndërkohë në të 52-tën Hames Rodrigez barazoi shifrat në 2:2.

Junajtedi falë golit të Skot MekTominej në minutën e 70-të kaloi sërish në epërsi, këtë herë me rezultatin 3:2.

Ky rezultat ishte valid deri në minutën e 95-të, atëherë kur në skenë tek “karamelat” doli Dominik Kalvert-Levin.

Edhe një zhgënjim tjetër për ekipin e Ole Gunar Solskjaer, që në 4 ndeshjet e fundit ka marrë vetëm një fitore, 2 barazime dhe 1 disfatë, duke humbur hapin në këtë mënyrë me kushërinjtë e  Mançester Sitit, që kanë dy pikë më shumë në renditje, por njëkohësisht edhe dy ndeshje më pak.

Siti kryeson renditjen me 47 pikë, Junajtedi me 45 pikë renditet në pozitën e dytë, ndërkohë Evertoni me 37 pozicionohet në vendin e 6-të. (infOSport.mk)

Leave a Reply