Java 30 të mërkurën sjellë ndeshje shumë interesante

Në mesjavë në program janë ndeshjet e javës së 30-të, që me vete do të sjellë ndeshje shumë interesante, si në luftë për vendet që sigurojnë Europën, por gjithashtu edhe për atë vende mbijetese, njofton “infOSport.mk”.

Madje lufta për mbijetesë është më e zjarrtë, duke pasur parasysh se këtë edicion për ti shpëtuar rrënies po luftojnë tre skuadra ish kampione, Vardari dhe Renova. Këta të fundit do të kenë një transfertë të vështirë në Strumicë përballë Akademia Pandev, që gjithashtu nuk e ka të siguruar mbijetesën. Është ky një paralajmërim i mirë që do shohim një futboll mjaft cilësor dhe me shumë paqartësi, njëjtë sikurse edhe në Veles, aty ku mejdanin do të ndajnë Boreci dhe Vardari, që ndodhen në të njëjtën situatë.

Sileksi, një tjetër ish kampion pritet të ketë një detyrë më të lehtë ndaj skuadrës së fundit në tabelë, Bellasicës, me shpresë se pas kësaj jave do të largohet nga zona e rrezikut.

Ndërkohë sa i përket luftës për në Europë, aty fjalën kryesore për momentin e kanë Makedonija GJ.P dhe Struga Trim Lum. Skuadra strugane pas fitores së madhe në fundjavë ndaj rivalit të drejtëpërdrejtë, Makedonija GJ.P, këtë herë në terren vendas do të mirëpret FC Shkupin, skuadër kjo që me shumë gjasa do të përfundojë si forcë e dytë në kampionatin tonë vendor, pas Shkëndijës.

Makedonija GJ.P, me trajnerin e ri Aleksandar Tanevski do të tentojë për të shpëtuar sezonin. “Verdhekuqtë” nga Gjorçe Petrovi do të mirëpresin Pelisterin, skuadër kjo që stinorin pranveror po luan në një pasqyrë krejt ndryshe nga ai vjeshtorë.

Shkëndija që tashmë siguroi titullin e katërt kampion, do të jetë mysafir në Shkup, në stadiumin “Todor Proeski”, aty ku ka kujtime të bukura, pas asaj fitore historike 6:1 ndaj rivalit të madh, Vardarit.

Të gjitha ndeshjet e javës së 30-të do të startojnë në ora 13:00.

LPFMV – Java 30

Rabotniçki 28.04.2021(13:00h) Shkëndija
Struga Trim Lum 28.04.2021(13:00h) FC Shkupi
Ak.Pandev 28.04.2021(13:00h) Renova
Makedonija GJ.P 28.04.2021(13:00h) Pelisteri
Boreci 28.04.2021(13:00h) Vardari
Bellasica 28.04.2021(13:00h) Sileksi

Leave a Reply