Holanda mundi Ukrainën në ndeshjen më interesante deri më tani në Euro 2020 (VIDEO)

Holanda dhe Ukraina kanë zhvilluar ndeshjen më atraktive të deritanishme në kuadër të Euro 2020, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo ndeshja e dytë e grupit “C”, në të cilën “tulipanët” shënuan fitore 3:2, duke gëzuar në fund tifozët e tyre në “Amsterdam Arena”, aty ku Maqedonia do të zhvillojë ndeshjen e fundit të grupit me 21 qershor.

Vlen të theksohet se të gjithë 5 golat u realizuan gjatë pjesës së dytë, me Holandën që avansoi me shifrat 2:0 falë golave të shënuar nga Vijnaldum (52’) dhe Veghorst (59’).

Mirëpo kur të gjithë menduan se Holanda do të arrijë një fitore komode, ashtu nuk menduan ukrainasit, të cilët brenda 4 minutave barazuan shifrat në 2:2.

Jarmolenko në minutën e 75-të ngushtoi epërsinë në 2:1, derisa për barazimin e rezultatit u përkujdes Jaremçuk (79’).

Holanda nuk u dorëzua dhe në minutën e 85-të Dumfries shënoi golin e tij të parë në një event të këtillë me fanellën “portokallinj”, duke i siguruar fitoren e parë në kuadër të Euro 2020.

Leave a Reply