Dy futbollistët nga Maqedonia largohen nga Vllaznia e Shkodrës

Nuk kanë të ndalur largimet te Vllaznia e Shkodrës, që edicionin e kaluar riktheu atë frymën e futbollit në qytetin e bukur, që njohet si djepi i futbollit. Pas Herald Markut dhe Dejan Shehit, që sezonin e ri do të luajnë me fanellën e Partizanit, pjesë e Vllaznisë edicionin e ardhshëm nuk do të jetë edhe dyshja nga Maqedonia e Veriut, Aleksandar Isaevski dhe Demir Imeri.

Ky i fundit një gjë të tillë ka paralajmëruar edhe përmes profilit të tij në “facebook”, ku ndër të tjerash kishte shkruar: “Të nderuar qytetarë të Shkodrës, staf i klubit, shokë skuadre dhe mbi të gjitha shumë të respektuar tifozë të ekipit të zemrës; në suksese, në dështime, në lodhje, në lëvdata e në emocionet më të zjarrta të karrierës, ju falenderoj pafund për vitin më me emocion të karrierës sime! Do të mbeteni padyshim një nga kujtimet më të bukura! Njëkohësisht ju jam mirënjohës për mikpritjen e ngrohtë dhe bujare shkodrane. Shpresoj të takohemi në të mira dhe suksese të Vllaznisë së madhe! Jam krenare që isha pjesë e kësaj familje. Mirë u takofshim djepi i futbollit shqiptar dhe ju shkodran të nderuar. Me shumë dashuri për JU, i juaji Demir Imeri”.

Mesfushori kërçovarë skuadrës shkodrane iu bashkua verën e vitit 2020, ndërsa edicionin e kaluar me fanellën e Vllaznisë zhvilloi 36 ndeshje, duke realizuar 7 gola, 4 në kampionat dhe 3 në Kupë.

Njëjtë sikurse Demiri, edhe 26-vjeçari Isaevski iu bashkua skuadrës shkodrane gjatë verës së vitit të kaluar, ndërsa i njëjti me fanellën “kuqeblu” zhvilloi 33 ndeshje, 29 prej të cilëve në Superligën shqiptare, aty ku Vllaznia e mbylli në pozitën e dytë. (infOSport.mk)

Leave a Reply