FC Shkupi dhe Struga Trim Lum fitojnë në gjeneralet para ndeshjeve europiane

FC Shkupi dhe Struga Trim Lum të mërkurën kanë zhvilluar ndeshjet e rradhës kontrolluese, që njëherit ishin edhe të fundit para ndeshjeve europiane, njofton “infOSport.mk”. Këto ndeshje trajnerëve të skuadrave përfaqësuese të vendit tonë në Europë, Goce Sedlloskit dhe Srgjan Zaharievskit, ju kanë shërbyer si provë gjenerale para sfidave europiane.

FC Shkupi në Ohër mundi Dritën e Gjilanit nga Kosova me shifrat 2:1, ndërsa me po të njëjtin rezultat, Struga Trim Lum në terren vendas mundi kampionët e Shqipërisë, Teutën. Në të dyja ndeshjet, ishin mysafirët nga Kosova dhe Shqipëria që avansuan, mirëpo me një lojë të përpiktë dhe shumë serioze, FC Shkupi dhe Struga Trim Lum në fund arritën deri tek fitoret.

Simonovski, sulmuesi maqedonas i transferuar këtë verë te Drita e Gjilanit, kaloi në epërsi skuadrën e Ardian Nuhiut, derisa Senghor që gjatë 45 minutëshit të parë arriti që të sjellë simetri në rezultat.

Për fitoren e “bardhekaltërve” nga Çairi u përkujdes Fredy Alvarez, me golin e shënuar gjatë pjesës së dytë nga penaltia.

Kur jemi tek penaltitë, vlen të përmendet se plotë 3 të tilla u akorduan në ndeshjen midis Striga Trim Lum dhe Teutës.

Dejvi Bregu nga penaltia kaloi në epërsi Teutën, ndërsa në të njëjtën mënyrë u kundërpërgjigj gjatë pjesës së parë Nemanja Bosançiç.

Në pjesën e dytë Struga Trim Lum luajti shumë më mirë, ndërsa Bunjamin Shabani shfrytëzoi një rast para portës kundërshtare, duke shënuar golin e dytë, ndërsa edhe pse në minutat e fundit të takimit kishin edhe një penalti, futbollistët e Struga Trim Lum nuk e shfrytëzuan, dhe ndeshja u mbyll me shifrat 2:1.

Ishte kjo fitorja e parë në 3 ndeshjet kontrolluese të zhvilluara nga ana e ekipit strugan, që më parë kishte barazuar me rezultat identik ndaj Partizanit, gjegjësisht FC Shkupit. Këta të fundit, ndërkohë regjistruan fitoren e parë në ndeshjen e katërt kontrolluese, pas dy disfatave të njëpasnjëshme ndaj Partizanit (0:1) dhe Shkëndijës (0:2), si dhe barazimit 1:1 me Struga Trim Lum.

Kujtojmë ndeshjet e së mërkurës, edhe FC Shkupit, edhe Struga Trim Lum, ju shërbyen si provë gjenerale para ndeshjeve shumë të rëndësishme të 8 korrikut, që i presin në kuadër të fazës së parë të “Europe Conference League”.

FC Shkupi në arenën “Todor Proeski” do të mirëpret KF Llapin e Tahir Batatinës nga Podujeva e Kosovës, ndërkohë Struga Trim Lum do të luaj si mysafir ndaj FC Liepaja nga Letonia. (infOSport.mk)

Leave a Reply