ZYRTARE, FFK-ja shkarkon trajnerin Çallandes

Federata e Futbollit të Kosovës i ka dhënë fund bashkëpunimit me teknikun zviceran, Bernard Çallandes, i cili udhëhoqi “Dardanët” për më shumë se 4 vite. Në krye të përfaqësueses kosovare, Çallandes erdhi me 2 mars të vitit 2018-të, duke udhëhequr “Dardanët” në plotë 37 ndeshje.

Ai me Kosovën regjistroi 16 fitore, 8 barazime dhe 13 disfata, përfshirë edhe disfatën e mbrëmshme ndaj Gjeorgjisë, e cila si duket ishte vendimtare për këtë vendim të krerëve të Federatës së Futbollit të Kosovës me në krye Agim Ademin, i cili në konferencën e organizuar për media falenderoi teknikun zviceran për kontributin e dhënë.

“Duam ta falënderojmë trajnerin Challandes për punën e bërë me ekipin, për suksesin e arritur sidomos në Ligën e Kombeve. Duam të bëjmë me dije që kemi vendosur ta ndërpremë bashkëpunimin me trajnerin, por që do të vazhdojmë bashkëpunimin edhe më tej në mënyra të ndryshme”, – është shprehur Agim Ademi.

Bernard Çallandes është i pikëlluar për këtë vendim, por shprehet i kënaqur që pati mundësinë  të drejtonte Përfaqësuesen e Kosovës.

“Natyrisht se jam i pikëlluar për këtë vendim, pasi kam pasur një kohë të mirë këtu. Kemi pasur një qëllim që të vazhdojmë qëllimet tona që të ndërtojmë një ekip të konkurrues. Kisha kënaqësinë që kam punuar me këtë skuadër, por jam i pikëlluar që nuk do të jem. Jam shumë, shumë i kënaqur me mbështetjen nga federata me këtë staf që gjithmonë kanë qenë besnik dhe ishte – mund ta them qartë se në karrierën time si trajner, nuk kam pasur të tillë”, – deklaroi Bernard Çallandes.

Kosova mbrëmë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë humbi kundër Gjeorgjisë me rezultatin 1:2 në kuadër të eliminatoreve për Botërorin “Qatar 2022”, duke zbritur kështu në pozitën e fundit të grupit “B”. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply