E bujshme, Veliu i Llapit transferohet te Trabzonspor për 400 mijë euro!

Sulmuesi i KF Llapit, Valmir Veliu, është shumë pranë transferimit në elitën e futbollit turk, në Trabzonspor. Këtë transferim është duke e negociuar agjenti i tij Rahman Kiçe, i cili ka edhe disa futbollistë të tjerë shqiptarë nën menaxhimin e tij.

21-vjeçari Veliu ka impresionuar trajnerin Abdullah Avçı dhe presidentin e klubit Ahmet Ağaoğlu, i cli ka dhënë dritën e gjelbër për të filluar bisedimet rreth blerjes përfundimtare të kartonit nga Llapi.

Sipas “transfermarkt”, vlera e Veliut në tregun futboll europian kap shifrën e 400 mijë eurove dhe mësohet se Trabzonspori, i cili me shumë gjasa do të kualifikohet në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, është gati të bëjë këtë investim.

Sipas agjentit të tij Kiçe i cili për “Insportin” ekskluzivisht pranoi se Veliu ishte duke e negociuar transferimin e tij në klubin më të madh turk, Galatasaraj por largimi i trajnerit legjendar, Fatih Terim, ka ndryshuar situatën totalisht.

“Veliu ishte duke u transferuar në Galatasaraj por largimi i trajnerit Fatih Terim ka ndryshuar planet. Jemi duke negociuar me Trabzonspor por edhe me disa ekipe të tjera. Ende nuk kemi vendosur asgjë, jemi duke i shqyrtuar ofertat” – ka thënë Rahman Kiçe.

Valmir Veliu, sezonin aktual me Llapin ka zhvilluar 18 ndeshje, duke regjistruar 6 gola dhe 6 asistime në BKT Superligën e Kosovës.

Leave a Reply