Voska Sport dhe Renova ndahen miqësisht

Voska Sport dhe Renova janë ndarë miqësisht sot në miqësoren e zhvilluar në Ohër, njofton “infOSport.mk”. 2:2 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi mjaft të bukur, ku trajnerët e të dyja skuadrave provuan gjithë futbollistët që kishin në dispozicion.

Rade Cicmiloviq madje luajti me dy formacione krejtësisht ndryshe, e ku pjesën e parë ia besoi veteranit Argjent Gafuri, një futbollistë ky që sot për herë të parë në karrierën e tij luajti ndaj ish skuadrës së tij, Renovës, aty ku kishte kaluar plotë 13 vite.

Ndryshe të parët që kaluan në avantazh në këtë përballje, ishin futbollistët e Renovës, për të cilët shënoi përforcimi më i fundit, boshnjaku i lindur në Kroaci, Amir Kahriamanoviç.

Kundërpërgjigjja e futbollistëve të Voska Sport erdhi 5 minuta para fundit të pjesës së parë, kur sulmuesi Emir Aliu shënoi për 1:1.

Ishte ky rezultati me të cilin u mbyll pjesa e parë, ndërsa edhe në të dytën skuadrat respektive shënuan nga një gol, me të vetmin ndryshim që tani të parët shënuan futbollistët e Voska Sport. Autor i golit për ekipin shqiptarë nga Ohri që garon në Ligën e Dytë – Perëndim, ishte Alen Jasharovski, një emër i njohur ky për futbollin tonë vendor, që më herët kishte mbajtur veshur edhe fanellën e Renovës, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe me FC Shkupin.

Megjithatë deri në fund të takimit, më saktësisht në minutën e 82-të, Renova u kundëpërgjigjë me anë të Emran Ramadanit, për të cilin ishte ky goli i dytë në kuadër të ndeshjeve kontrolluese të këtij cikli përgatitor.

Këto dy skuadra me 29 janar do të zhvillojnë edhe një ndeshje tjetër, e ku pritet ndoshta që të ketë edhe fitues. (infOSport.mk)

Leave a Reply