E bujshme, FC Shkupi kontakton Besart Ibraimin!

FC Shkupi për të 5-tin vit me rradhë do prezantojë vendin tonë në arenën ndërkombëtare, ndërsa do të jetë kjo hera e parë që me këtë emër skuadra nga Çairi do të luaj në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, njofton “infOSport.mk”.

Është ky një sukses i rradhës për skuadrën shkupjane, që ditë më parë në një mënyrë madhështore festoi titullin e kampionit, ndërsa me të përfunduar kjo festë, drejtuesit e tyre i janë kapur punës, duke menduar edhe për përforcimet e reja të skuadrës.

Informacione të afërta me “infOSport.mk” bëjnë me dije se drejtuesit e FC Shkupit kanë kontaktuar golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave në futbollin vendor, Besart Ibraimin, i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës greke të Ksanti.

Ibraimi për momentin është një lojtar i lirë, ndërsa siç mësojmë rikthimin e tij në Tetovë, e dëshiron edhe Shkëndija.

Kontaktet e para, nuk është se kanë bindur Ibraimin me atë që i është ofruar, edhe pse është ky vetëm fillimi i bisedimeve, të cilat mund të japin rezultatin e duhur, kjo bazuar edhe në eksperiencën e bomberit kërçovarë në ndeshjet ndërkombëtare me Shkëndijën, ku i njëjti numëron plotë 39 ndeshje dhe 18 gola të realizuar.

Ndërkohë skuadra e tretë që ka pasur kontakte me bomberin kërçovar, ashtu siç informuam gjatë ditës së djeshme, është Partizani i Tiranës, me të cilët Ibraimi ishte takuar që një muaj më parë, por për momentin nuk është se ka diçka konkrete.

Vazhdimi i bisedimeve mes të dyja palëve mund të rifillojë sërish, vetëm në rast se Partizani edhe përfundimisht do të siguronte pjesëmarrjen për në Europë.

Siç mëson “infOSport.mk”, pikërisht kjo ka qenë një ndër kushtet e Ibraimit për tu ulur sërish në tavolinën e bisedimeve me drejtuesit e Partizanit, skuadër kjo që dy xhiro para fundit të sezonit në Superligën shqiptare renditet në pozitën e tretë me 52 pikë, 3 më shumë se Kukësi dhe Vllaznia, dy skuadra këto që renditen në pozitat 4 dhe 5. (infOSport.mk)

Leave a Reply