Strumica dhe Prilepi epiqendra të futbollit, cilat dy skuadra do luajnë në Ligën e Parë

Strumica dhe Prilepi sot do të jenë epiqendra e futbollit në vendin tonë, pasi edhe përfundimisht do të mësojmë se cilat dy skuadra do të sigurojnë një vend për në Ligën e Parë në edicionin e ardhshëm, njofton “infOSport.mk”.

Ndeshje më e zjarrtë pritet në stadiumin e qytetit “Bllagoj Istatov” në Strumicë, aty ku mejdanin do të ndajnë Tikveshi dhe Voska Sport. Të dyja skuadrat do të kenë përkrahjen e tifozëve të tyre, të cilët pritet të krijojnë një atmosferë të bukur futbollistike, ndërsa mbetet të shohim se kush në fund do festojë.

Tikveshi nuk arriti që të sigurojë mbijetesën gjatë kampionatit të rregulltë në Ligën e Parë, ndërkohë Voska Sport si e dyta nga grupi i Perëndimit në Ligën e Dytë, do të tentojë që të shkruajë historinë.

Ata si debutues në Ligën e Dytë, arritën që të shpallen nënkampion, ndërkohë tashmë dëshirojnë edhe Ligën e Parë.

Në ndeshjen tjetër që do të zhvillohet në stadiumin “Goce Dellçev” në Prilep, do të takohen Skopje dhe Bellasica. Këta të fundit u pozicionuan në vendin e dytë në Ligën e Dytë – Lindje, pas Pobedës kampione, që siguroi Ligën e Parë drejtëpërdrejtë.

Shanset janë 50-50, me Bellasicën që kërkon rikthimin në mesin e më të mirëve, ndërsa Skopje kërkon të mbijetojë sërish në mesin e më të mirëve.

Të dyja ndeshjet do të startojnë në ora 17:00. (infOSport.mk)

Leave a Reply