Dardanët besojnë në fitore kundër Greqisë

Përfaqësuesja e Kosovës e ka zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes së sotme në Volos kundër Greqisë. Ndonëse në përballje me liderin e grupit, përzgjedhësi Alen Zhires nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e pesë futbollistëve për shkak të lëndimeve apo pezullimit.

Bëhet fjalë për Edon Zhegrovën, Benjamin Kolollin, Lirim Kastratin, Ibrahim Dresheviçin dhe Betim Fazlijin.

Ndërkaq, në stërvitjen e sotme i diferencuar nga pjesa tjetër e ekipit është stërvitur Vedat Muriqi, por i cili pritet të jetë i gatshëm për lojë.

Pavarësisht këtyre mungesave të rëndësishme fitorja kundër Irlandës së Veriut ka bërë që motivi për sukses edhe kundër grekëve të jetë i madh, aq më parë kur dihet se ata janë rivalët direkt për pozitën e parë në grup.

E optimizmin për fitore e kanë shprehur në konferencë për media edhe seleksionuesi, Alen Zhires dhe Milot Rashica.

“Na pret ndeshje e vështirë, pasi Greqia është një kundërshtar i fortë. Nuk mund të them se kjo ndeshje është një finale, por patjetër që është një ndeshje e tepër e rëndësishme. Fitorja eventuale në këtë takim sigurisht që do t’i rriste ambiciet tona për ta fituar grupin. Pas fitores kundër Irlandës së Veriut e kemi motivin e duhur por të shohim çfarë do të sjellë ndeshja”, – ka thënë Zhires.

Ndërkaq, Milot Rashica ka thënë se ka ardhur koha që Kosova ta mposhtë Greqinë, pasi në pesë përballjet e deritashme Kosova ka regjistruar tre barazime dhe dy humbje.

“Duke e parë rëndësinë e ndeshjes, shpresoj që kontributi im të ndikoj te golat. Besoj se ndeshja ime ndaj Irlandës së Veriut ishte më e mira në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Kemi shumë mungesa, por të gjithë lojtarët janë gati dhe do të japim maksimumin. Besoj që ka ardhur koha ta bëjmë fitoren e parë ndaj Greqisë. Nëse dëshirojmë ta fitojmë ndeshjen, atëherë duhet të shënojmë gola. Kjo ndeshje mund të përcaktojë gjithçka. Jemi të përgatitur për ta dhënë maksimumin për ta fituar këtë ndeshje. Presim të jetë ndeshje shumë e vështirë, por besoj që me motivimin dhe gjërat e mira që kemi bërë në ndeshjen e kaluar t’i shfrytëzojmë. Kemi luajtur ndaj Greqisë dhe e dimë se si luajnë dhe shpresoj që të dielën të bëjmë paraqitje shumë më të mirë se në ndeshjen e fundit kundër tyre”, – ka theksuar Rashica.

Ndeshja Greqi – Kosovë, zhvillohet të dielën në orën 20:45.

Leave a Reply