Sedlloski rikthehet te FC Shkupi, tashmë bashkë me një legjendë të klubit

Goce Sedlloski është rikthyer në bankinën e FC Shkupit vetëm pas 9 ditëve. I njëjti u largua nga kjo skuadër me 31 gusht, menjëherë pas barazimit 1:1 ndaj Pobedës në Çair.

Megjithatë në vend që gjërat të shkonin në të mirë, ato vetëm se u përkeqësuan, pasi edhe ushtruesi i përkohshëm i detyrës, trajner i FC Shkupit, Gokhan Bozkaja, nuk arriti të sjellë në binarët e duhura klubin, shkruan “infOSport.mk”.

FC Shkupi pësoi dy disfata të njëpasnjëshme, edhe atë nga kundërshtarë reliativisht shumë më të dobët. “Pëllumbat” nga Çairi u mundën fillimisht nga Bregallnica në kuadër të xhiros së 6-të në Shtip me shifrat 2:0, që më pas në mesjavë të pësojnë nga Tikveshi (1:3) në ndeshjen e mbetur të xhiros së parë.

Kjo shkaktoi shumë pakënaqësi në mesin e tifozëve të skuadrës nga Çairi, ndërsa një transferim i Mario Mlladenovskit mes gjithë kësaj stuhie, solli edhe një pakënaqësi tjetër në skuadër, atë të Drejtorit Sportiv, Omer Bunjaku, i cili ofroi dorëheqjen e tij.

Megjithatë e njëjta nuk u pranua, ndërsa pas rikthimit të tij në skuadër, sot erdhi edhe rikthimi i Goce Sedlloskit, i cili për ndihmës do të ketë një ndër futbollistët më të mirë shqiptarë që ndonjëherë ka luajtur me FC Shkupin, Arben Nuhiun, ndërsa Suat Alija rikthehet në postin e kryetarit.

Gjithë këto rikthime japin shpresë se FC Shkupi do të rikthehet sërish aty ku e ka vendin, ndërsa provimin e parë “pëllumbat” nga Çairi do ta kenë të dielën kundër Rabotniçkit në Çair. (infOSport.mk)

Leave a Reply