Kovaçev i Pelisterit rikthehet në Bullgari

Martin Kovaçev është futbollisti i rradhës që braktis rradhët e Pelisterit, mëson “infOSport.mk”. Bullgari ka vendosur të rikthehet në vendlindje te skuadra e Dunav Ruse, te e cila skuadër po rikthehet edhe për herë të dytë.

35-vjeçari Kovaçev pikërisht nga kjo skuadër verën e vitit 2016-të erdhi te Pelisteri, për të cilën skuadër zhvilloi 40 ndeshje, duke realizuar edhe 3 gola.

Kovaçev i cili hapat e parë i kishte bërë te skuadra e tij e vendlindjes Velbuzhd Qustendil, për herë të parë te ekipi i Dunav kishte luajtur gjatë vitit 2006, edhe atë në formë huazimi nga skuadra e Liteks Loveç. Rikthimi i tij te Dunav ishte sërish në sezonin 2015/2016, kur si titullar luajti në 28 ndeshje, duke ndihmuar këtë skuadër që pas shumë viteve të rikthehet në elitën e futbollit bullgar.

Ndryshe mbrojtësi 35-vjeçar ka një karrierë të pasur futbollistike, ku përveç fanellave të skuadrave si Velbuzhd Qustendil, Liteks Loveç, Dunar dhe Pelister, ka veshur edhe fanellat e skuadrave si Spartak Varna, Çernomorets, Nafteks, Sliven, Botev, Montana dhe Hastovo në Bullgari, ndërsa gjithashtu ishte pjesë edhe e skuadra kazake të Vostok dhe skuadrës indoneziane të Borneo.

Ai me Pelisterin sezonin e kaluar arriti që të fitojë trofeun e Kupës së Maqedonisë, kur Pelisteri në finalen e madhe të zhvilluar në Strumicë përmes penaltive mundi Shkëndijën.

Leave a Reply