Skuadrat e mëdha pa probleme kalojnë në çerekfinale të Kupës

Ditë e mbarë rezultoi të jetë e mërkura për skuadrat e mëdha, që në asnjë moment nuk e diskutuan kualifikimin e tyre në fazën tjetër në kuadër të Kupës, njofton “infOSport.mk”.

Fitoren më të thellë e regjistroi Akademia Pandev ndaj Ljubotenit, (9:0), ndërsa aspak të mëshirshme nuk u treguan edhe dy skuadrat shqiptare, FC Shkupi dhe Shëndija.

Kampionët në fuqi të vendit në stadiumin e Çairit mundën skuadrën e Voska Sport me rezultatin 6:0, ndërkohë në Tetovë, Shkëndija shënoi fitore 5:0 përballë Skopjes, ndeshje në të cilën në listën e golashënuesve u regjistruan 5 futbollistë të ndryshëm, përfshirë këtu edhe vëllezërit Ramadani.

Vardari në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari mundi Fortunën e Hasanbegut me rezultatin 4:0, ndërsa një ndeshje me shumë emocione dhe me kthesë të rezultatit u zhvillua në Strugë, aty ku ekipi vendas i Struga Trim Lum mundi Rabotniçkin me rezultatin 2:1.

“Romantikët” avansuan të parët në këtë ndeshje me golin e shënuar nga Krste Velkovski, i cili në minutën e 14-të u tregua i saktë.

Ky ishte goli i vetëm i shënuar gjatë pjesës së parë, ndërsa në të dytën ishte Struga Trim Lum që dominonte dhe shënonte, derisa golat u shënuan nga Hristijan Maleski (76’) dhe Valentin Koçoski (82’). Vlen të theksohet se në minutën e 74-të, Besart Ibraimi humbi një penalti për Struga Trim Lum, dersa mysafirët nga Shkupi nga minuta e 68-të luajtën me një futbollistë më pak në fushë, pas përjashtimit të Nikolla Sharkoskit, derisa fare në fund, në minutën e 93-të, me karton të kuq u ndëshkua edhe Filip Boshkovski.

Bregallnicës i mjaftoi super goli me gërshërë i shënuar nga Gjorgjiev në minutën e 64-të, për të eliminuar Pelisterin, ndërkohë për Sileksin golin e fitors në transfertën në Kavadar kundër Tikveshit, e realizoi Marjan Ristovski në minutën e 82-të.

Ndeshja e fundit e 1/8 së finales, ajo midis Pobedës dhe Makedonija GJ.P në Prilep, në program është me datë 19 tetor. (infOSport.mk)

 

Kupa e Maqedonisë, 1/8 e finales

Struga Trim Lum 2:1 Rabotniçki
FC Shkupi 6:0 Voska Sport
Shkëndija 5:0 Skopje
Vardari 4:0 Fortuna
Tikveshi 0:1 Sileksi
Bregallnica 1:0 Pelisteri
Ak.Pandev 9:0 Ljuboteni
Pobeda 19.10 Makedonija GJ.P

Leave a Reply