Gjermania turpërohet sërish, për të dytën herë me rradhë eliminohet në fazën e grupeve

Në Botërorin e dytë me rradhë, Gjermania eliminohet që në fazën e grupeve, njofton “infOSport.mk”.

Një gjë e tillë u bë realitet sonte, pasi ekipi i Hansi Flik u rendit në pozitën e tretë në grupin “E”, pas Japonisë dhe Spanjës, pavarësisht fitores 4:2 që e arriti ndaj Kosta Rikës në ndeshjen e xhiros së fundit të këtij grupi.

Kjo fitore nuk u tregua e mjaftueshme, pasi në të njëjtën kohë japonezët shokuan “Furinë e Kuq”, duke e mundur me shifrat 2:1 dhe duke u renditur në pozitën e parë me 6 pikë.

Spanjollët dolën më të mirë se gjermanët vetëm për shkak gol-averazhit më të mirë, gjëja e parë që shikohet në rast se ekipet kanë pikë të barabarta në këtë kampionat, që në mënyrë perfekte po zhvillohet në Katar.

Kështu në ndeshjen e 1/8 së finales, Japonia do të përballet me Kroacinë, derisa Spanja për kundërshtarë do të ketë Marokun, që zuri vendin e parë në grupin “F”, aty ku aventurën e tij e përfundoi edhe një tjetër kombëtare gjigande, Belgjika. (infOSport.mk)

Leave a Reply