Shkëndija lëshon bombën, rikthen Enur Totre!

Shkëndija me udhëheqësinë e re vazhdon të punoj rreth përforcimit të skuadrës, duke kërkuar që në rradhët e veta të sjellë lojtar cilësor, me të cilët do të mund të shpresonte tek titulli, pavarësisht se pjesën e parë të sezonit e mbylli me 9 pikë më pak se lideri, Struga Trim Lum.

Deri më tani “kuqezinjtë” nga Tetova në rradhët e tyre kanë sjellë emra si Metodo Maksimov, Kamer Qaka, Mustafa Mujezinoviç, Nasko Milev dhe Almir Rexhepi, ndërkohë burime të afërta me “infOSport.mk” bëjnë me dije, se Shkëndija është gati të rikthejë edhe një emër të madh në rradhët e veta, mesfushorin Enur Totre.

Ky i fundit pas një sezoni të shkëlqyeshëm me fanellën e Tiranës në Superligën shqiptare, gjatë kësaj vere u transferua në Ukrainë te skuadra e Vorskla Poltava, mirëpo mungesa e minutazhit te kjo skuadër janë arsyeja që Totre ka  vendosur të rikthehet sërish në familjen e tij “kuqezi”.

Kujtojmë Totre është prodhim i shkollës së Shkëndijës dhe një ndër lojtarët më të pëlqyer nga publiku tetovar dhe grupi i tifozëve “Ballistët”, që me siguri se një rikthim të lojtarit të tyre të preferuar do ta mirëpresin shumë mirë.

26-vjeçari Totre me Shkëndijën e Tetovës numëron plotë 183 ndeshje, ndërsa shumë lehtë mund të ndodhë që i njëjti të thyejë rekordet me këtë skuadër, bazuar në moshën që ka por edhe seriozitetin e kësaj udhëheqësie për të krijuar një skuadër të fortë që do vepronte për disa vite me rradhë, e ku do të kishte fjalën kryesore në futbollin vendor, por gjithnjë duke ecur mbarë edhe në arenën ndërkombëtare. (infOSport.mk)

Leave a Reply