Prishtina fituese e Kupës së Kosovës, mundin Gjilanin e Zekirja Ramadanit

Prishtina është fituese e Kupës së Kosovës për edicionin 2022/23, pasi në finalen e madhe të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me rezultatin 2:0 mundi Gjilanin e Zekirja Ramadanit, njofton “infOSport.mk”.

Pjesa e parë nuk prodhoi gola në këtë ndeshje finale, mirëpo gjërat ndryshuan në pjesën e dytë, që doli të jetë shumë më interesante, duke dhuruar edhe emocione në disa momente.

Genc Hamiti në minutën e 67-të realizoi golin e parë, kur mjaft mirë reagoi në zonën kundërshtare pas harkimit të Përfqelit dhe me një goditje  gjysmëvolej arriti që të mposhtë portierin Enea Koliçi.

Momenti më i bukur i ndeshjes ndodhi në minutën e 76-të, kur një top i devijuar nga zona e 16-të metërshit të Gjilanit, përfundoi deri te këmbët e Mërgim Perfqelit, i cili realizoi një eurogol të vërtetë për rezultat 2:0.

Mevlan Zeka në minutën e 88-të realizoi gol në rrjetën e Kolajt, duke rikthyer shpresat e gjilanasve, mirëpo i njëjti gol u anulua për shkak pozitës jashtë loje.

Në fund fitore 2:0 për Prishtinën e Muhamed Useinit dhe Egzon Belicës, që luajtën titullarë në këtë takim që dhuroi spektakël edhe në tribuna, falë prezencës së “Plisave” në njërën anë dhe “Skifterave” në anën tjetër.

Për Prishtinën është ky trofeu i dytë në 5 vitet e fundit në kuadër të Kupës së Kosovës, dhe i pari nën drejtimin e trajnerit Debatik Curri, që njëherit bëhet trajneri i dytë në moshë më të re që fiton këtë trofe. (infOSport.mk)

Leave a Reply