Miklovan Pere i Struga Trim Lum bëhet me skuadër të re!

Miklovan Pere, i cili së fundmi u shpall kampion me Struga Trim Lum në kampionatin tonë vendor, karrierën e tij do ta vazhdojë në vendlindjen e tij, në Shqipëri, aty ku do të veshë fanellën e Elbasanit.

Këta të fundit edicionin e ri do të lujanë në Ligën e Parë shqiptare, ndërsa me disa përforcime të bujshme, kjo skuadër dëshiron që sa më shpejtë të rikthehet edhe në Superligë.

Siç mëson “infOSport.mk”, Pere me Elbasanin ka arritur marrëveshje për një vit, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Kujtojmë, Pere pjesë e Struga Trim Lum ishte për dy vite të plota, ndërsa më herët ishte aktivizuar edhe me Dinamon e Tiranës, me të cilën skuadër kishte siguruar edhe ngjitjen në elitën e futbollit shqiptarë.

Asokohe Pere madje mbante edhe shiritin e kapitenit te skuadra “dinamovite”.

Pjesën tjetër të karrierës e ka kaluar me ekipin e qytetit të tij, Pogradecin. Nuk kanë munguar as aventurat e shkurtra me Turbinën dhe Sopotin, gjithashtu në Kategorinë e Parë. Tanimë në moshën 32-vjeçare, Pere konsiderohet si një futbollist me mjaft eksperiencë dhe që mund t’i shërbejë shumë Elbasanit në arritjen e misionit “Superiore”.

Leave a Reply