Trajneri i Voska Sport nuk pajtohet me disfatën: Merituam së paku një barazim

Voska Sport humbi duelin e parë zyrtarë kundër Struga Trim Lum, që u zhvillua dje në Ohër. Këtë takim e vendosi një gol i shënuar në minutën e 86-të, duke humbur kështu edhe një ndeshje tjetër vetëm në fund, pavarësisht lojës së mirë që tregoi skuadra e Voska Sport.

“Ishte një ndeshje, thujase e njëjtë sikurse me Shkëndijën, një ndeshje e fortë, mirë e realizuar taktikisht nga të dyja palët. Vendosën disa detaje të vogla, pas gjithë atyre rasteve që nuk  i shfrytëzuam, sërish na ndëshkoi një gol në fund të takimit, pas një ndërprerje, nga një top i dytë. Nuk mund të mos jem i kënaqur nga loja dhe rastet që krijuam. Struga Trim Lum nuk krijoi asgjë, përveç atij goli që shënoi, ashtu që më vjen keq që ndodhi ashtu, mirëpo neve duhet të ecim para, mendoj se mundemi, po luajmë mirë dhe shpresoj se do na rikthehen gjitha këto që po na ndodhin” – u shpreh trajneri i Voska Sport, Miljan Radoviç, i cili nuk mund të pajtohet me rezultatin final. Sipas tij kjo ndeshje duheshe të mbyllet së paku me një barazim.

“Mendoj se rezultati nuk është real, neve kishim disa raste, madje disa raste të shkëlqyeshme gjatë pjesës së parë për gol, ata e realizuan atë gol. Së paku merituam një barazim, ky rezultat nuk ishte real, ashtu sikurse edhe në ndeshjen e kaluar (FC Shkupi), mirëpo këto gjëra ndodhin, ky është futbolli, besoj se do të rikthehemi në të gjitha aspektet dhe se do të fillojmë të fitojmë” – deklaroi Radoviç.

Voska Sport mbetet në pozitën e 10-të me vetëm 7 pikë të tubuara, ndërsa Struga Trim Lum pas kësaj fitores është ngjitur në pozitën e dytë me 15 pikë, vetëm një më pak se Shkëndija e vendit të parë, që ka një pikë më shumë. (infOSport.mk)

Leave a Reply