Ibra dhe Radeski flasin në prag të derbit me FC Shkupin

E diela është e rezervuar për super derbin, FC Shkupi – FC Struga Trim Lum, ndeshje kjo që do të zhvillohet në stadiumin e Çairit me fillim në ora 14:00. Në prag të këtij takimi nga tabori i skuadrës strugane, kanë folur dyshja sulmuese, Besart Ibraimi dhe Marjan Radeski.

Që të dy numërojnë plotë 17 gola në këtë sezon, përfshirë këtu edhe golat e shënuar në garat europiane, aty ku vërtetë kjo dyshe shkëlqeu me paraqitjet e bëra.

Edhe Ibraimi, edhe Radeski respektojnë tej mase kundërshtarin e nesërm, megjithatë që të dy kërkojnë  vazhdimin e serisë pozitive.

“Është një derbi, një ndeshje ku besoj se do të vendosin detaje të vogla. E respektojmë Shkupin, mirëpo gjithsesi se në këtë ndeshje shkojmë për të nxjerrë një rezultat pozitiv” – u shpreh Besart Ibraimi.

“Para së gjithash respekt për ekipin e FC Shkupit. vërtetë kanë një skuadër shumë të mirë dhe kjo paralajmëron një ndeshje shumë të papërshtatshme. Secili prej nesh duhet të jap 200% nga vetja për të besuar te rezultati pozitiv. Jemi përgatitur shumë mirë dhe normalisht që shkojmë për tre pikët e plota. Premtoj se do të jap më të mirën nga vetja për të arritur objektivin e skuadrës, ndërsa një gjë të tillë e di që do e bëjë gjithësecili nga nesh” – u shpreh Marjan Radeski.

GOL NË RRJETËN KUNDËRSHTARE…

“Si çdo sulmues, ashtu edhe unë në çdo ndeshje kërkojmë të shënojmë, mirëpo sinqerisht kjo ka pak rëndësi, e rëndësishme është që t’ia arrijmë qëllimin në fund, të marrim fitoren pa marrë parasysh se kush shënon” – thotë Ibraimi.

“Nëse nuk do shënoja, por do e fitonim ndeshjen, besoni se do isha shumë i lumtur. Fitoret e Struga Trim Lum më bëjnë shumë të lumtur, ashtu që në fund shpresoj që të gjithë të dalim të buzëqeshur dhe kokëlartë” – shprehet Radeski, i cili për në Shkup udhëton si golashënuesi i fundit për skuadrën strugane.

Pikërisht goli i tij u kishte siguruar atyre fitoren 1:0 në mesjavë kundër Voska Sport. Ishte goli numër 3 për Radeskin në kampionat, ndërsa një më shumë ka të shënuar Besart Ibraimi, i cili gjithashtu shkëlqeu edhe në ndeshjet europiane, aty ku realizoi plotë 7 gola, 6 në Ligën e Konferencës dhe 1 në Ligën e Kampionëve.

Në anën tjetër Radeski garat europiane i mbylli me 3 gola të shënuar, që të gjithë kundër Buduçnost, në atë fitore të çmendur 4:3 në Podgoricë.

Leave a Reply