Struga Trim Lum ka regjistruar një fitore infarkt kundër Voska Sport, në ndeshjen e mbetur të javës së 15-të, duke marrë kështu kryesimin në renditje para FC Shkupit, njofton “infOSport.mk”.
Në një ndeshje të luftuar nga të dyja palët, e ku Struga Trim Lum krijoi më shumë raste, por që edhe Voska kishte dy raste të qindtpërqindta, fitoren minimale skuadrës kampione në fuqi, i’a siguroi Vangjel Zguro me një gol të shënuar në minutën e 99-të nga pika e bardhë.
Kjo penalti shkaktoi shumë reagime në mesin e futbollistëve mysafir, e ku më i zëshëm ishte mbrojtësi Lupçe Trpeski, i cili u ndëshkua me të verdhë nga ana e arbitrit Stojçevski. Ky i fundit shkaktoi shumë mllef tek tabori i Voska Sport, që pas përfundimit të ndeshjes, kishin dalë edhe me një reagim.
Për dallim nga ndeshja në Strugë, ku u shënua vetëm një gol, ndeshja tjetër e mbetur e javës së 15-të midis Sileksit dhe Vardarit, prodhoi plotë 5 gola, me miqtë nga Shkupi që avansuan të parët me golin e Nenad Mishkovskit.
Reagimi erdhi nga ana e Antonio Kalanoskit, i cili fillimisht në minutën e 20-të me një super gol me kokë barazoi shifrat në 1:1, që më pas në minutën e 27-të, i njëjti të shënojë edhe golin e dytë, vetëm pas tentativës së dytë, pasi tentativa e tij e parë për të shënuar nga pika e bardhë, ishte pritur nga portieri mysafir, Gaçevski.
Ky i fundit kapituloi edhe në minutën e 77-të, kur kapiteni Serafimovski realizoi një super gol, derisa rezultatin përfundimtarë, Sileksi 3, Vardari 2, e vendosi talenti shqiptarë, Nijazi Jusufi.
Pas kësaj disfate, Vardari mbetet në pozitën e fundit me 14 pikë, derisa Sileksi me 27 pikë renditet në pozitën e katërt. Ndryshim tashmë ka edhe në vetë kreun e tabelës së klasifikimit, aty ku për momentin ndodhet Struga Trim Lum me 36 pikë, një më shumë se FC Shkupi i vendit të dytë. (infOSport.mk)