Ja kush e bindi presidentin e Vllaznisë për të marrë Qatip Osmanin

Skuadra e njohur shqiptare e Vllaznisë nga Shkodra, me 30 tetor në postin e trajnerit zyrtarizoi strategun tetovar, Qatip Osmani. Dhe si duket shkodranët kanë bërë goditjen e duhur në pankinë me largimin e Migen Memellit, pasi një gjë të tillë dëshmojnë edhe rezultatet që kjo skuadër i ka arritur në këtë periudhë.

Po si erdhi deri te angazhimi i Qatip Osmanit te Vllaznia?

Detajet interesante i zbuloi presidenti Alban Xhaferi, që në një prononcim për “Shkodra Sport”, u shpreh: “Në atë periudhën e dhimbjes së kokës nga situata e krijuar, ishim duke parë për opsione te ndryshme dhe në atë moment unë pata një sugjerim nga një menaxher siç ndodh zakonisht. Më pëlqeu shumë CV-ja e tij, por personi deçiziv që më ka bindur për ta marrë Qatip Osmani, është Erald Çinari. Ai ka qenë personi që më ka treguar të vërtetën rreth gjithçka në lidhje me këtë trajner dhe unë i besova atij. Në fakt rezultoi që kishte patur të drejtë sepse me profesor Qatipin, Vllaznia ka gjetur rezultatet dhe qetësinë e duhur”.

Nën drejtimin e Qatip Osmanit, Vllaznia e Shkodrës në Superligën shqiptare ka regjistruar 8 fitore, 4 barazime dhe 2 disfata. Vlen të theksohet gjithashtu se shkodranët kanë një ecuri prej 9 ndeshjeve pa disfatë (7 fitore, 2 barazime).

Për herë të fundit Vllaznia ishte mundur nga kryesuesit e Egnatias, të cilës skuadër iu hakmorrën fundjavën që lamë pas, kur në Shkodër shënuan fitore 2:1. (infOSport.mk)

Leave a Reply