Shkëndija tregohet aktive në merkato, nuk ka vetëm prurje, ka edhe largime

Shkëndija e Tetovës është aktivizuar në merkato, edhe atë fuqishëm, pasi brenda ditës bëri dy përforcime, ndërsa gjithashtu njoftuan edhe për largimin e parë në prag të sezonit të ri, njofton “infOSport.mk”.

Pjesë e “kuqezinjëve” nga Tetova në sezonin e ri nuk do të jetë mbrojtësi i krahut të djathtë, Stefan Kocev, vendin e të cilit me shumë gjasa do e zë, Mevlan Murati, që rikthehet te Shkëndija pas dy viteve të plota.

Murati është një emër i njohur për opinionin futbollistik në Tetovë, pasi është një fëmijë i dalë nga shkolla e Shkëndijës, për të cilën skuadër në karrierën e tij ka zhvilluar plotë 194 ndeshje.

Një tjetër emër i ri te Shkëndija, do të jetë edhe ai i Imran Fetait, i cili për herë të parë në karrierën e tij do të luaj me ekipin e parë, pavarësisht se ishte pjesë e shkollës së futbollit të skuadrës kampione.

Imran Fetai, së fundmi ishte pjesë e Besës së Dobërdollit, mirëpo pasi kjo skuadër humbi statusin e skuadrës elitare, vendosi që ti bashkohet Shkëndijës, pavarësisht se për shërbimet e tij interesi kishte shfaqur edhe ish skuadra e tij, Tikveshi.

Qendërmbrojtësi Fetai, edhe pse vetëm 22-vjeç, pas vetes numëron 54 paraqitje në Ligën e Parë. Me angazhimin e tij, Shkëndija shton konkurrencën në vijën e fundit, aty ku për gjatë sezonit të kaluar, kur edhe arritën të shpallen kampion, fjalën kryesore e patën, Mevlan Adili dhe Klisman Cake. (infOSport.mk)

Leave a Reply