Partizani i Tiranës mundi lehtësisht Rabotniçkin në miqësoren e zhvilluar në Strugë

Partizani i Tiranës ka shënuar fitore 3:0 në ndeshjen kontrolluese të zhvilluar sot përballë Rabotniçkit, ndeshje kjo që u zhvillua në stadiumin e qytetit në Strugë, njofton “infOSport.mk”.

Fituesi u përcaktua që në pjesën e parë, kur “demat” nga Tirana shënuan dy herë në rrjetën e “romantikëve”, edhe atë në një interval kohor prej vetëm 5 minutash.

Ishte Keko ai që shënoi golin e epërsisë në minutën e 20-të, ndërsa sulmuesi i rikthyer Skuka, në minutën e 25-të shënoi edhe golin e dytë për Partizanin.

Në pjesën e dytë, tempoja e lojës ishte më e dobët, kjo edhe për faktin e shumë zëvendësimeve të bëra në taboret e të dyja skuadrave.

Megjithatë në minutën e 87-të, Partizani përmes Garcias shënoi edhe golin e tretë përballë Rabotniçkit, skuadër kjo që më parë zhvilloi edhe dy ndeshje kontrolluese përballë Sileksit, që u mbyllën me barazime (0:0, 1:1).

Kujtojmë, që të dyja këto skuadrat që do të luajnë edhe në eliminatoret e Ligës së Konferencës, po zhvillojnë fazën e përgatitjeve në Ohër. (infOSport.mk)

Leave a Reply