Omeragiç: Mbështetja nga UEFA dhe Presidenti Çeferin janë një nxitje e fortë për reformat dhe zhvillimin e futbollit në vendin tonë

Me ftesë të Presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Masar Omeragiç, sot në vendin tonë për vizita zyrtare në FFM, po qëndron Presidenti i UEFA-s, Aleksandar Çeferin.

Pjesë e këtij delegacioni të udhëhequr nga Çeferin, janë edhe Zoran Lakoviç, drejtor i shoqatave kombëtare të UEFA-s, si dhe Denis Bastari, udhëheqës për zhvillimin e shoqatave kombëtare në kuadër të UEFA-s.

Me këtë rast numri 1 i futbollit vendor, Masar Omeragiç, theksoi rëndësinë e kësaj vizite, me theks të veçantë në reformat dhe zhvillimin e futbollit vendor në periudhën e kaluar.

“Vizita e Aleksandar Çeferin është një konfirmim i vërtetë i miqësisë sonë dhe marrëdhënies së sinqertë që kemi me udhëheqjen e UEFA-s. Është veçanërisht e rëndësishme për ne që gjatë vitit të kaluar kemi zbatuar reforma serioze në disa segmente, nga ndryshimet strukturore dhe organizative, përmes përmirësimit të infrastrukturës, deri te një strategji e qartë për zhvillimin e futbollit të të rinjve. Ne ndamë informacione të vlefshme rreth situatës së futbollit në Maqedoni dhe rajon dhe diskutuam hapur temat kryesore. Kjo mbështetje dhe mirëkuptim nga UEFA është një nxitje e fortë për të vazhduar me reformat dhe për të zhvilluar futbollin tonë vendor në nivelin më të lartë të mundshëm“, – tha Masar Omeragiç, duke potencuar se FFM dhe ai personalisht janë krenar për bashkëpunimin e shkëlqyer të federatës sonë me UEFA-n.

“Aleksandar Çeferin e ka udhëhequr futbollin evropian me njohuri, guxim dhe vendosmëri përmes sfidave të mëdha në vitet e fundit dhe të gjithë jemi të bindur se ai do të vazhdojë në të njëjtën mënyrë si më parë, të mbrojë dhe zhvillojë futbollin evropian. Ai ka treguar veten si një person i aftë të zhvillojë njëkohësisht komercialisht garat elitare të UEFA-s, nga Liga e Kampionëve deri në Kampionatin Evropian, dhe në të njëjtën kohë të mbrojë bazën dhe të investojë në zhvillimin e futbollit në të gjithë Evropën. Jemi krenarë për bashkëpunimin e shkëlqyer të federatës sonë me UEFA-n”, – theksoi Omeragiç.

Në kuadër të vizitës, numri 1 i futbollit europian, Aleksandar Çeferin zhvilloi takim me përfaqësuesit më të lartë të Qeverisë së vendit tonë, përfshirë këtu edhe Kryeministrin Hristijan Mickoski si dhe Ministrin e Sportit, Borka Ristovski, pas të cilit takim do të pasoj edhe një takim pune në “Shtëpinë e futbollit”. (infOSport.mk)

Leave a Reply