Me ndeshjen e së premtes midis Sileksit dhe Shkëndijës së Haraçinës, edhe zyrtarisht starton java e 11-të në elitën e futbollit vendor, që edhe këtë fundjavë do të zhvillohet në tre ditë të ndryshme, shkruan “infOSport.mk”.
Ndeshja në fjalë do të startojë në ora 14:00, njëjtë sikurse dhe super derbi midis Shkëndijës së Tetovës dhe Vardarit, që në program është të shtunën, kur paraprakisht nga ora 12:00 në Strugë, mejdanin do të ndajnë Struga Trim Lum dhe FK Skopje.
Struganët shihen si favorit absolut në këtë ndeshje, derisa paqartësi pritet të ketë në Gostivar midis dy kampionëve të fundit, Shkëndijës së Tetovës dhe Vardarit.
Java e 11-të vazhdon me dy ndeshje të tjera të dielën, kur Arsimi po në Gostivar do të mirëpret Bregallnicën, me shpresë se do ti hakmerren për atë disfatë në ndeshjen e parë të këtij sezoni në Shtip. Kjo ndeshje luhet me fillim në ora 12:00, ndërsa vetëm dy orë më vonë, në Kavadar, Tikveshi do të mirëpret Bashkimin e Kumanovës. (infOSport.mk)
