Arbitri Ilijoski i kërkon falje Demirit! Vjen edhe reagimi i drejtuesve të Shkëndijës së Haraçinës

Vlatko Ilijoski, me dashje, apo pa dashje, morri gjithë vëmendjen në takimin e sotëm të javës së 10-të në elitën e futbollit vendor, midis Shkëndijës së Haraçinës dhe Struga Trim Lum.

I njëjti fillimisht në minutën e 26-të u vë në shënjestër të tifozëve vendas, kur me asistim të VAR vendosi që të ndëshkojë me të kuq futbollistin e Shkëndijës së Haraçinës, Martin Todorov, dhe më pas të tregoj në pikën e bardhë, ndërkohë fare në fund të takimit i njëjti kishte fyer rëndë edhe kapitenin e vendasve, Besir Demirin, një ndër futbollistët më jetë gjatë në Ligën e Parë të Maqedonisë, dhe ndër futbollistët më profesionist dhe të disiplinuar.

Duke pranuar gabimin e bërë, Vlatko Ilijoski, kishte kërkuar falje për këtë gjest jo të hijshëm, duke e kontaktuar personalisht kapitenin e haraçinasve, Besir Demiri.

Më poshtë ju sjellim reagimin e plotë të drejtuesve të Shkëndijës së Haraçinës, ku ndër të tjerash shkruajnë:

“Klubi ynë njofton opinionin se gjyqtari Ilioski ka kontaktuar personalisht kapitenin tonë, Besir Demiri, duke i kërkuar falje për incidentin e ndodhur.

E vlerësojmë këtë gjest dhe gatishmërinë e gjyqtarit për të pranuar gabimin dhe për të kërkuar falje. Besojmë se pranimi i gabimit është një hap i rëndësishëm drejt reflektimit dhe përgjegjësisë personale.

Megjithatë, kërkimfalja nuk mund dhe nuk duhet ta zëvendësojë përgjegjësinë për fyerjet me karakter racist.

Racizmi dhe diskriminimi nuk kanë vend në futboll, aq më pak kur vijnë nga personat që kanë për detyrë të garantojnë drejtësinë, paanshmërinë dhe respektimin e rregullave në fushën e lojës.

Prandaj, pavarësisht kërkimfaljes, mbetemi në qëndrimin tonë se institucionet kompetente të futbollit duhet ta shqyrtojnë rastin dhe të ndërmarrin masat përkatëse disiplinore.

Nuk kërkojmë hakmarrje, por përgjegjësi. Nuk kërkojmë privilegje, por respekt dhe trajtim të barabartë për çdo futbollist.

Për ne, ky nuk është vetëm një incident ndaj kapitenit tonë, por një çështje parimore që prek dinjitetin e çdo sportisti.

Futbolli është lojë që bashkon, jo që ndan.

KF Shkëndija 77 Haraçinë…”

Leave a Reply