Pas ndeshjes së sotme kundër Struga Trim Lum, e ku në qendër të vëmendjes ishte arbitri Vlatko Ilijoski, kanë reaguar nga klubi futbollistik, Shkëndija e Haraçinës, të cilët kanë kërkuar nga Federata e Futbollit të Maqedonisë, të hetojë sjelljen e arbitrit në fjalë.
Ata akuzojnë arbitrin kryesor, Ilijoski, se në minutën e 88-të, sipas deklaratës së kapitenit të tyre, Besir Demiri, arbitri kryesor i takimit kundër Struga Trim Lum, i është drejtuar atij me fjalët, “majmun analfabet”.
“Konsiderojmë se një gjuhë e tillë është e papranueshme për një gjyqtar futbolli dhe ngre dyshime serioze edhe për fyerje me konotacion racist, veçanërisht duke pasur parasysh se në fushë ishin edhe dy futbollistë me ngjyrë të ekipit kundërshtar.
Pikërisht ky incident shkaktoi tensione edhe pas përfundimit të ndeshjes, të cilat mund të ishin shmangur nëse gjyqtari do të kishte ruajtur profesionalizmin dhe respektin ndaj futbollistëve. Kapiteni ynë ka dorëzuar deklaratë zyrtare te delegati i ndeshjes, duke theksuar se ekzistojnë edhe dëshmitarë të incidentit. Kërkojmë nga FFM që të publikojë audio-incizimin e minutës së 88-të, të hetojë rastin dhe të ndërmarrë masa përkatëse nëse konfirmohen këto pretendime. Gjyqtarët janë aty për të ndarë drejtësinë në fushë, jo për të fyer dhe provokuar futbollistët.” – thuhet në reagimin e drejtuesve të Shkëndijës së Haraçinës.
