LFFMV-Java 10, ekipet mysafire të pamëshirshme!

Java e 10-të në elitën e futbollit vendor ka vijuar sot me dy ndeshje të tjera, e ku sërish fjalën kryesore e patën skuadrat mysafire. Ashtu si dje (e shtunë), edhe sot regjistruam dy fitore të skuadrave mike, në këtë rast Sileksit dhe Shkëndijës së Tetovës, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra e Artim Pollozhanit nuk e diskutoi fare fitoren në lagjen Autokomandë të Shkupit përballë FK Skopjes, duke arkëtuar 3 pikë të reja, që i rikthyen ata në krye të tabelës së klasifikimit.

Shkëndija e Tetovës shënoi fitore 3:1, me dy gola të shpejtë të shënuar që në 10 minutat e para të takimit. Endrit Krasniqi shënoi golin e epërsisë vetëm pas dy minutave lojë, derisa në minutën e 9-të, Bojan Dimoski shënoi për 2:0, duke realizuar golin e tij të parë me fanellën “kuqezi” të Shkëndijës.

Viktor Angellov tentoi të rikthej Skopjen në lojë me një gol të shënuar në fundin e pjesës së parë, mirëpo ishte Fabrice Tamba, ai i cili në minutën e 52-të shënoi për 1:3, duke vendosur njëherit edhe rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, edhe pse shumë lehtë mund të ndodhte që tetovarët të paktën të shënonin edhe një gol tjetër, në rast se në minutën e 74-të, Besart Ibraimi do të shënonte nga pika e bardhë.

Fitore në transfertë edhe për Sileksin, që sot ishte superior përballë Bashkimit. Skuadra nga Kratova shënoi fitore 3:0, me sulmuesin boshnjak Nihad Shero që shënoi golin e parë në minutën e 13-të.

Me këtë gol u mbyll pjesa e parë, derisa pjesa e dytë doli të jetë shumë më interesante. Kristijan Eftimov vetëm pas 3 minutave lojë në këtë pjesë, shënoi një eurogol të vërtetë, duke ngritur epërsinë e skuadrës nga Kratova në 2:0.

Bashkimi tentoi të rikthehet në lojë, madje vendasit arritën edhe të gjejnë rrjetën e mysafirëve në minutën e 77-të përmes portugezit Ribeiro, mirëpo i njëjti u anulua pas intervenimit të VAR, gjë kjo që shkaktoi pakënaqësi në mesin e futbollistë “zigjelbër” të Bashkimit.

Në anën tjetër Sileksi në minutën e dytë të kohës shtesë (90+2”), me anë të rezervistit Aleksandar Mishov, shënoi edhe golin e tretë, duke regjistruar fitoren e parë pas më shumë se dy muajve në kampionat.

Për herë të fundit, Sileksi kishte mundur Skopjen (3:0) në Kratovë me 15 gusht.

Kujtojmë, të shtunën fitores iu gëzuan edhe dy skuadrat tjera mysafire, Struga Trim Lum dhe Vardari.

Këta të fundit falë golit të shënuar nga Boban Nikolov në minutën e 24-të nga Shtipi u rikthyen me fitore minimale 1:0 dhe 3 pikë të mëdha, të cilat gjithashtu i morri edhe Struga Trim Lum nga transferta në Çair kundër Shkëndijës së Haraçinës.

Skuadra strugane shënoi fitore 2:0, me dy gola të shënuar që në pjesën e parë me anë të Besmir Bojkut dhe Marjan Radeskit.

Java e 10-të në elitën e futbollit vendor mbyllet sot me ndeshjen në Gostivar midis KF Arsimit dhe Tikveshit. (infOSport.mk)

LPFMV | Java 10
Shkëndija H. 0:2 Struga Trim Lum
Bregallnica 0:1 Vardari
Bashkimi 0:3 Sileksi
Skopje 1:3 Shkëndija T.
KF Arsimi (14:00h) Tikveshi

Leave a Reply