FC Malisheva po fluturon me shqiptarët e Maqedonisë

FC Malisheva vazhdon të shkëlqejë në elitën e futbollit kosovar, kjo falë edhe paraqitjeve bindëse të futbollistëve shqiptarë nga Maqedonia, që janë pjesë e kësaj skuadre. Edhe pse sot mungoi goli i sulmuesit më në formë të kësaj skuadre, Xhemal Ibishi, që falë golave të shënuar fitoi epitetin e futbollistit më të mirë të muajit shtator në Albi Mall Superligën e Kosovës, në skenë doli sulmuesi tetovar, Valmir Nafiu, që shënoi golin e dytë në fitoren 2:1 të FC Malishevës ndaj FC Vushtrrisë, shkruan “infOSport.mk”.

Për Nafiun, ishte ky goli i parë këtë edicion, në paraqitjen e tij të tretë, derisa një gol tjetër në fitoren ndaj FC Vushtrrisë për FC Malishevën, e realizoi edhe Laurent Xhylani. Golin e vetëm për skuadrën mysafire e realizoi,  Lis Demiri.

Vlen të theksohet se në takimin ndaj FC Vushtrrisë, trajneri Kastriot Rexha, në lojë inkuadroi që të gjithë 4 futbollistët shqiptarë me origjinë nga Maqedonia.

Startues, ishin mbrojtësi kumanovar Rexhep Murati, mesfushori shkupjan Besnik Ferati, sulmuesi tetovar Valmir Nafiu, si dhe sulmuesi shkupjan, Xhemal Ibishi, që pas vetes numëron 5 gola të shënuar dhe njëherit është golashënuesi më i mirë te FC Malisheva.

Ndryshe, Ibishi renditet i dyti në listën e golashënuesve në elitën e futbollit kosovar, menjëherë pas sulmuesit kryesor të FC Prishtinës, Assane Diatta, që numëron 7 gola.

Leave a Reply