Liga e Kampionëve edhe sonte do të na dhurojë 6 ndeshje të tjera në kuadër të raundit të parë të fazës së ligës.
Barcelona, një ndër skuadrat pretendente për titull, rrugëtimin e saj të gjatë e nis nga “Kamp Nou” kundër skuadrës së madhe holandeze të Feyenoord.
“Katalunasit” futen në këtë takim si favorit absolut, kjo edhe falë serisë prej 4 fitoreve të njëpasnjëshme në La Liga, përfshirë këtu atë të fundit në transfertën në “Mestalja” kundër Valencias, kur shënuan fitore 5:0.
Feyenoord ka 3 fitore dhe 2 barazime në “Eredivisie”, por ka vetëm 1 fitore në 12 ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve nën drejtimin e ish futbollistit të Barcelonës, Giovanni van Bronckhorst.
Liverpullin e pret një përballje e vështirë në “Enfilld Roud” kundrejt Atletiko Madrid të Diego Simeone, që në këtë ndeshje vjen pas një disfate të rëndë 3:0 ndaj Atletik Bilbaos.
Edhe skuadra tjetër angleze, ajo e Arsenal do të ketë një ndeshje të vështirë sonte, teksa luan në transfertë ndaj Napolit.
“Topçinjtë” e kanë nisur mbarë sezonin e ri në Premierligë, duke regjistruar 4 fitore të njëpasnjëshme, përfshirë këtu edhe atë të “Community Shield” para fillimit të sezonit, kur kishin mundur bindshëm Mançester Sitin me shifrat 3:0, derisa Napoli i Amir Rrahmanit në këtë ndeshje futet pas disfatës 3:2 ndaj Interit.
Kampionët në fuqi të Paris Sen Zhermen do të mirëpresin skuadrën sllovake të Slovan Bratislava që udhëhiqet nga një emër i njohur i futbollit europian, Yaya Toure, ndërsa në dy ndeshjet e tjera të mbrëmjes së sotme takohen edheSporting Lisbonë-Galatasaray dhe Stuttgart-Viking. (infOSport.mk)
