Pas ndeshjes me Novacin, Struga Trim Lum sot miqësore me Elbasanin

Struga Trim Lum gjatë ditës së sotme do të zhvillojë edhe miqësoren e dytë në këtë mini pauzë për shkak ndeshjeve ndërkombëtare.

Trajneri Bledi Shkëmbi do të ketë mundësinë që të provoj skuadrën sërish në një ndeshje tjetër miqësore, këtë herë kundër Elbasanit në Shqipëri. Do të jetë kjo ndeshja e dytë brenda pak ditëve e skuadrës strugane, përmes të cilave trajneri Shkëmbi po tenton të mbajë ritmin garues të skuadrës në nivelin e duhur, por njëkohësisht edhe të provoj të gjithë futbollistët, dhe të provoj skema të ndryshme, me të vetmin qëllim që të ketë një pasyqrë më të mirë për ndeshjet e rradhës që i presin në kampionat.

Ndeshjen e para disa ditëve kundër Novacit në Strugë, Bledi Shkëmbi e nisi me skemën 3-4-3. E njëjta nuk është se dha rezultatin e duhur, sidomos gjatë pjesës së parë, kur kjo skuadër kishte disavantazhin e dy golave.

Megjithatë gjërat ndryshuan në vijim, kur edhe Shkëmbi bëri ndryshimet e duhura, si në skemë, ashtu edhe me inkuadrimin e futbollistëve të rinj, që dhanë rezultatin e duhur dhe në fund barazuan 2:2 kundër Novacit.

Adrian Zendeli ishte autorë i golit të parë, derisa formën e tij të mirë, edhe njëherë tjetër e konfirmoi sulmuesi Marjan Radeski, duke shënuar golin e barazimit gjatë pjesës së dytë.

Në ndeshjen kundër Novacit, trajneri Shkëmbi, nuk mundi të llogarisë në shërbimet e Hristijan Maleskit, që për herë të parë është ftuar te përfaqësuesja A e Maqedonisë, si dhe të Alban Roçit, që është bashkë me ekipin U19.

Që të dy do të mungojnë edhe sot kundër Elbasanit, ndeshje kjo që do të zhvillohet në Kompleksin Sportiv “Shefqet Lamçja” në Elbasan me fillim në ora 16:00.

Pas këtij takimi, skuadra strugane do të vijoj që nesër me stërvitjet në Strugë, për tu përgatitur sa më mirë për ndeshjen e javës së 9-të në kampionat kundër Bashkimit në Kumanovë, që në program është me datë 12 shtator.

 

Leave a Reply