Ronaldinjo paralajmron tërheqjen nga futbolli në vitin 2018

Ish yll brazilian, Ronaldinjo po mendon tërheqjen nga futbolli aktiv në vitin 2018. Fantazisti sulmues 37-vjeçar tashmë ka kaluar dy vitet e fundit pa një kontratë me ndonjë klub, që kur u largua nga Fluminense, por ka deklaruar më herët se do të fokusohet në interesa që s’kanë të bëjnë me futbollin, nëse një ditë do të vendoste të “varte këpucët në gozhdë”.

Karriera e pasur e tij ka nisur te Gremio, në vitin 1998, klubi brazilian që sivjet fitoi Kupën Libertadores, ose Champions Leaguen e Amerikës Latine.“Po, ekziston kjo mundësi. Mendoj se do t’i them lamtumirë futbollit vitin e ardhshëm, zyrtarisht”, ka thënë Ronaldinjo në një konferencë për shtyp.

Ronaldinjo fitoi Kupën e Botës me Brazilin në vitin 2002, ndërsa ka fituar edhe Champions Leaguen dhe dy herë La Ligën me Barcelonën, sikurse edhe Serie A me Milanin. Ai është shpallur fitues i trofeut individual “Lojtari më i mirë i vitit për FIFA-n” në vitet 2004 dhe 2005, sikurse edhe i “Topit të Artë” në 2005-n.

Leave a Reply