Koha për transferime në Çair, Enes Azizi i pari që bashkohet me Shkupin

Pas largimeve të Bazhe Ilijoskit, Kristijan Stojkoskit dhe Blagoja Ljamçevskit që u zyrtarizua së fundi, te FC Shkupi ka ardhur koha për të sjellë përforcime të reja në skuadër. Kryesia e “bardhebluve” si duket ka bërë matematikat e duhura, duke mos u ngutur në veprime rreth prurjeve të reja përpara se të analizojë situatën brenda klubit dhe të zgjidh dilemat më futbollistët që nuk përputheshin me atë që kërkohej nga vet drejtuesit apo trajneri.

Të tre të larguarit, pothuajse në të gjitha ndeshjet e fundit nuk përfshiheshin në terren me Ilijoskin që mbulohej me arsyjen se ishte i lënduar, ndërsa në fakt problemin kryesor e kishte me Umit Karan,  njejtë si Stojkoski, ndërsa Ljamçevski nuk kishte probleme me stafin teknik, por nuk kishte minutazhin e dëshiruar në terren dhe sigurisht në fund të këtij gjysmësezoni zgjedhi që të largohet për të vazhduar diku, ku mund të luajë më shumë.

Në situatë, kur largohen një sulmues, mesfushorë dhe mbrojtës, skuadra duhet të mendojë që t’i mbulojë këto repartee dhe koha është e duhur që të nisin transferimet, me Shkupin që nesër nis përgatitjet për gjysmësezonin pranveror.

Drejtuesit po punojnë në afrime dhe janë në bisedime me shumë futbollistë, duke u munduar të gjejnë një gjuhë të përbashkët për arritur akordin, por deri tani nuk ka asgjë konkrete. Sipas asaj që arrinë të zbulojë “InfOSport.mk”, i pari që do t’i bashkohet Shkupit në këtë merkato dimërore është portieri Enes Azizi. Me këtë të fundit drejtuesit e skuadrës nga Çairi kanë arritur akordin dhe sipas burimeve tona jozyrtare portieri nesër do t’i bashkangjitet skuadrës për në Dojran.

Enes Azizi do të jetë fillimi, ndërsa ditëve në vijim pritet të ketë edhe emra tjerë që do të vijnë të veshin fanellën “bardhekaltër” për një synim të vetëm, Europën. /InfOSport.mk

Leave a Reply