Bregallnica kafshatë e lehtë për Shkëndijën (VIDEO)

Shkëndija ka shënuar fitore më se të merituar në ndeshjen e javës së 32-të kundër Bregallnicës në Tetovë, duke dërguar skuadrën nga Shtipi me tre gola në rrjetë, njofton “infOSport.mk”.

Edhe përkundër dëshirës së madhe të futbollistëve mysafir  për të nxjerrë një rezultat pozitiv nga kjo përballje, “kuqezinjtë” asgjë nuk i lanë rastit dhe që nga fillimi diktuan tempo që solli rezultat në minutën e 19-të, kur pas harkimit të Hasanit, bomberi kërçovarë Besart Ibraimi reagoi më së miri dhe me kokë shënoi për 1:0.

Ky njëherit ishte edhe rezultati i pjesës së parë, ndërsa në pjesnë e dytë, më saktësisht në minutën e 58-të Besart Abdurrahimi realizoi edhe golin e dytë në rrjetën e Gaçevskit.

Ky gol solli mjaft nervozizëm në rradhët e skuadrës së Bregallnicës, futbollistët e së cilës skuadër si duket e kishin të qartë se nga Tetova do të duhet të largohen duarzbraz, gjë kjo që bëri ata deri në mbyllje të takimit të pësojnë edhe golin e tretë.

Autor i këtij goli për Shkëndijën ishte Radeski, i cili mjaft mirë pranoi një top nga ana e Abdurrahimit, dhe me një goditje precize për tokë edhe për herë të tretë mposhti portierin mysafir.

Ishte kjo fitorja e 18-të për Shkëndijën, që thuajse është i sigurtë në pozitën e dytë me 62 pikë, derisa Bregallnica me vetëm 21 pikë mbetet në pozitën e para fundit dhe me shumë gjasa sezonin tjetër do të luaj në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë.

Leave a Reply