Pobeda mundi Shkupin në Çair, gara për balotazh bëhet e zjarrtë (VIDEO)

Shkupi ka pësuar disfatë në një ndër ndeshjet vendimtare të sezonit ndaj Pobedës, me të cilën skuadër deri në mbyllje të sezonit do të duhet të luftojë për ikje të pozitës së balotazhit, njofton “infOSport.mk”.

Pobeda në Çair shënoi fitore 2:1, duke iu afruar në këtë mënyrë në vetëm një pikë skuadrës së Shkupit, që nuk arriti ta shfrytëzojë terenin vendas dhe përpkrahjen e tifozëve në takimin e sotshëm.

Fillimi i ndeshjes nuk paralajmëroi një disfatë të tillë për skuadrën “bardhekaltër”, e cila avansoi vetëm pas 5 minutave lojë me golin e realizuar nga ana e sulmuesit Emanuel Mbella.

Mirëpo Pobeda vazhdoi me lojën e saj të qetë, duke kërkuar golin e barazimit, të cilin e gjeti sulmuesi Bllagoja Geshoski, tre minuta para përfundimit të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë Shkupi si duket ra nën presionin e të qenit fitues në këtë përballje, gjë kjo që ndikoi shumë negativisht tek futbollistët vendas, të cilët edhe përkundër dominimit në fushë dhe rasteve të krijuara, nuk arritën që të gjejnë rrugën e duhur drejt golit të mysafirëve, të cilët në minutën e 68-të me anë të Cvetanovskit realizuan edhe golin e dytë.

Pas këtij goli Shkupi me ngulm kërkonte golin e barazimit, mirëpo nuk pati fat, pasi në dy raste skuadrën mysafire dhe potierin Taleski e shpëtonte shtylla dhe traverza.

Fatih Ismaili ishte ai i cili qëlloi shtyllën, derisa në momentet e fundit të takimit, goditja e Ermedin Adem me kokë përfundoi vetëm në traverzë. Adem në këtë rast morri një lëndim më të rëndë, pas përplasjes që pati me bashkëlojtarin e tij, Muharem Bajrami, me ç’rast duheshe të largohet me veturën e ambulancës.

Edhe pas kësaj disfate Shkupi  ruan pozitën e 7-të, mirëpo tashmë me vetëm një pikë më shumë se Pobeda në pozitën e 8-të, derisa Bregallnica dhe Makedonija Gj.P me shumë gjasa sezonin e ardhshëm do të luajnë në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë.

Leave a Reply