Milani gjen zëvendësuesin e Donarumas

Pas Xhanluixhi Donaruma refuzoi të rinovonte kontratën, drejtuesit e Milanit kanë filluar punën për të gjetur pasuesin e tij. Portieri 18 vjeçar do të largohet në fund të sezonit si lojtar i lirë, por te Milani duket se do të vënë në zbatim planin e veçantë për Donarumën.

Portieri sipas të gjitha gjasave do të kalojë një sezon mes pankinës dhe tribunës, teksa Fasone ka nisur menjëherë punën për të afruar një portier të ri.

Sipas asaj që shkruajnë mediat në Itali, Milani ka tre emra, të cilët mund të zëvendësojnë Donaruman. Njëri prej tyre është portieri rezervë i Juventusit, braziliani Neto. “Zonja e Vjetër” për shërbimet e tij kërkon 10 milion euro, ndërsa Milani gjithashtu shikon mundësinë e transferimit të portierit të Arsenalit, Vojçeh Shçesni. Ky i fundit kaloi dy vite nën huazim te Roma, mirëpo këta të fundit nuk dëshirojnë të blejnë kartonin e tij.

Emri i portierit polak së fundmi lidhet me një transferim të mundshëm te Juventusi, ashtu që në fund njëri prej tyre mund të përfundojë te Milani.

Një opcion tjetër për portën e “rossonerëve” është edhe Matia Perin.

24 vjeçari që aktivizohet te Xhenoa dhe që konsiderohet si një nga portierët më të mirë në Itali pritet t’i zërë vendin Donarumas dhe ta spostojë atë në tribunë ku do të vuajë pasojat e këshillave të menaxherit të tij Raiola.

Mirëpo ajo që frenon Milanin në transferimin e këtij të fundit është fakti se vitin e fundit, Perin në dy raste lëndoi gjurin.

Mbetet të shihet se cili prej këtyre tre emrave do të pasojë Donaruman te Milani, apo ndoshta në skenë do të dalë edhe ndonjë emër tjetër?

Leave a Reply