Grezda prezantohet te Osijeku, i bashkohet Ejupit

Edhe pse i ishte bashkuar që më herët skuadrës së tij të re, futbollisti nga Gjakova e Kosovës, Eros Grezda, që njëherit është edhe anëtar i Kombëtares shqiptare, vetëm sot është prezantuar te skuadra e Osijekut, ku do të gjejë shqiptarin nga Shkupi, Muzafer Ejupi.

Grezda kishte kryer edhe fazën përgatitore në Slloveni me skuadrën e tij të re, duke shënuar madje në ndeshjen kontrolluese ndaj skuadrës kampione të Kosovës, Trepça ’89, në të cilën ndeshje skuadra kroate kishte shënuar fitore minimale, 1:0. Ai beson se ka bërë hapin e duhur dhe se transferimi  i tij te Osijeku është një hap para në karrierën e tij.

“Jam i lumtur për transferimin në Osijek, sepse është një hap i madh përpara në karrierën time. Skuadra është e mirë dhe e di që do të kem sukses. Mund të luaj si anësor ofensiv në të dy krahët dhe preferoj të jem sa më pranë portës kundërshtare. Jam pak mbrapa në përgatitje në krahasim me shokët e skuadrës, pasi jam bashkuar me vonesë në fazën përgatitore, por ndihem gati, edhe pse nuk kam pushuar fare në mes dy sezoneve, për shkak të ndeshjeve me kombëtaren” – tha Eros Grezda në prezantimin e tij nga ana e drejtuesve të skuadrës kroate.

22-vjeçari Grezda te Osijeku erdhi nga Lokomotiva e Zagrebit, pjesë e së cilës ishte për dy vite me rradhë. Ai sezonin e fundit me Lokomotivën e Zagrebit, luajti në 41 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar edhe 6 gola (5 kampionat, 1 në kuadër të Kupës së Kroacisë).

Leave a Reply