Milan Ristovski nga Ferizaji te Bellasica

Milan Ristovski pas aventurës së shkurtë te skuadra kosovare e Ferizajit është rikthyer në futbollin vendor, kësaj rradhe te skuadra e Bellasicës, që sezonin e ri futbollistik do të garojë në Ligën e Dytë – Lindje.

Lajmin për “infOSport.mk” e konfirmoi edhe vetë futbollisti shkupjan, i cili është i lumtur që do i bashkohet një skuadre me emër, që këtë vit pretendon të jetë një ndër skuadrat më të mira në Ligën e Dytë dhe të rikthehet në mesin e më të mirëve.

“Po është e vërtetë që në sezonin e ri do jem pjesë e Bellasicës. Nuk kemi nënshkruar ende, mirëpo jemi marrë vesh që të jemi bashkë për një vit, ndërsa në varësi se si do rrjedhin gjërat, bashkëpunimi ynë mund të vazhdojë” – tha Ristovski, një futbollist i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës nga Superliga e Kosovës, Ferizajit.

Ai gjatë ditës së djeshme kishte pasur një takim me drejtuesit e skuadrës kosovare, me të cilët ishin dakorduar për të ndërprerë bashkëpunimin, duke shpresuar se sërish do jenë bashkë në të ardhmen.

Ristovski ka mbetur i kënaqur nga qëndrimi te skuadra e Ferizajit dhe raportet që ka pasur me drejtuesit e këtyre të fundit, të cilët i kanë lënë derën të hapur futbollistit 28-vjeçar nga Shkupi.

Leave a Reply