Besnik Hasi me Olimpijakosin e tij turpërojnë Partizanin midis Beogradit (VIDEO)

Strategu kosovar, Besnik Hasi me Olimpijakosin e tij kanë turpëruar Partizanin, duke mundur midis Beogradit me rezultatin 3:1 në ndeshjen e parë të turit të tretë eliminatorë të Ligës së Kampionëve Evropian.

Edhe përkundër përkrahjes së madhe nga tribunat e stadiumit, Partizani dështoi të marrë një rezultat pozitiv, duke bërë që vazhdimi i ëndërrës evropiane për ta të bëhet një mision i pamundur.

Sulmuesi El Fardu Ben Mohamed realizoi dy gola (6’, 56’) për Olimpijakosin, pas asistimeve të bëra nga ana e gjermanit Marko Marin dhe marokenit, Mehdi Karsela, ndërsa një tjetër gol shtoi edhe kamerunasi Leandre Tavamba Kana (10’).

Golin e vetëm për Partizanin e realizoi rezervisti,  Emanuel Emenike në minutat shtesë të takimit.

Me këtë fitore Olimpijakosi me Besnik Hasin në krye, përmirësoi gabimin e vitit të kaluar kur në këtë fazë u eliminua nga izraelitët e APOEL Ber Sheva.

Vlen të ceket se kjo ndeshje u ndërpre për një çast në minutën e 15-të, kur tifoz të Partizanit me mjete shpërthyese sulmuan futbollistin mysafir, gjermanin Marko Marin, derisa ky i fundit ekzekutonte një rivënie nga këndi.

Leave a Reply