Futbollistet shqiptare Roçi dhe Begolli vazhdojnë te JyPK Jyvaskyla

Dy futbollistet shqiptare që militojnë në kampionatin finlandez kanë vazhduar kontratat edhe për një vit tjetër me skuadrën JyPK Jyvaskyla.

Edhe pse futbolli shqiptar në konkurencë të femrave len shumë për të dëshiruar dhe për momentin nuk ka ndonjë nivel të kënaqshëm, kjo nuk don të thotë se nuk kemi përfaqësuese të denja në këtë lëmi, madje që paraqiten me shumë sukses edhe në kampionate të rëndësishme europiane. Gentiana Roçi dhe Lavdie Begolli janë ambasadore të denja të futbollit shqiptar për femra, pasi luajnë me sukses në elitën e futbollit finlandez. Të dyja lanë pas kampionat shumë pozitiv me skuadrën JyPK Jyvaskyla, ndërsa paraqitjet bindëse kanë bërë drejtuesit e klubit futbollisteve shqiptare tu ofrojnë kontrata të reja një vjeçare, të cilat në konsultim me menaxherin e tyre Besim Isa janë pranuar. “Mund të konfirmoj se zyrtarisht kemi vazhduar  bashkëpunimin edhe për një vit tjetër me JyPK Jyvaskyla dhe Roçi e Begolli do të jenë pjesë e kësaj skuadre edhe sezonin e ri. Drejtuesit e klubit të kënaqur me efektin e tyre ofruan kontrata të reja, ndërsa përkundër faktit se kishte interes edhe nga klube tjera, përfshi këtu edhe HJK Helsinkin, në fund vendosëm të rinovojmë me JyPK Jyvaskyla”, shprehet menaxheri shqiptar, Besim Isa.

Struganja Gentiana Roçi mbylli sezonin si golashënuesja më e mirë e skuadrës së saj, duke realizuar 19-të gola në 22 ndeshje të zhvilluara, ndërsa mesfushorja Lavdie Begolli në 20-të takime shënoi 6 gola. JyPK Jyvaskyla pjesën e rregullt të sezonit e mbylli në pozitën e 7-të në renditje, që më pas pa problem të sigurojë mbijetesën duke u ndalur e para në grupin me katër skuadra ku spikati Roçi me 8-të gola të realizuar. Kështu historia e futbollisteve shqiptare vazhdon në Finlandë pasi edhe sezonin e ardhshëm do t’i shohim në rradhët e JyPK Jyvaskyla.

Leave a Reply