Shkëndija rikthehet në Strumicën evropiane

Pas një periudhe prej dy muajsh, Shkëndija rithehet në Strumicën evropiane. Themi evropiane pasi pikërisht në këtë qytet lindor të Maqedonisë, “kuqezinjtë” nga Tetova përjetuan një verë të këndshme, duke shijuar tre fitore nga po aq ndeshje në kuadër të eliminatoreve të Liga Evropa, njofton “infOSport.mk”.

Të besuarit e trajnerit Osmani mundën kundërshtarë si Daçia 3:0, Helsinki 3:1 dhe Trakai 3:0. Tre ndeshje, tre fitore me një gol averazh impresionues 9:1.

Është kjo Strumica dhe stadiumi plotësisht i renovuar i “Mladost” që zgjon kujtime të bukura për të përzgjedhurit e trajnerit Qatip Osmani, të cilët besojnë se serinë e fitoreve të rinisur nga ndeshja e fundjavës ndaj FC Shkupit ta vazhdojnë edhe ndaj Akademia Pandev.

Këta të fundit kanë befasuar të gjithë me rezultatet e arritura në debutimin e tyre në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, ndërsa nesër do të kenë përkrahje edhe më të madhe nga simpatizantët e tyre, të cilët do të kenë mundësinë të shohin para tyre Shkëndijën evropiane.

Ekspedita e Shkëndijës që mbrëmë ndodhet në Strumicë, duke u vendosur në një nga hotelet e këtij qyteti, me qëllim që futbollistët e saj sa më të freskët dhe më të përgatitur të presin takimin derbi të javës së 12-të që starton në ora 14:30.

Leave a Reply