Jo vetëm Ronaldon, Perez ndryshon gjithë sulmin e Realit!

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, është duke përgatitur një revolucion të vogël në sulmin e ekipit madrilen që nga vera e ardhshme.

Sipas të përditshmes spanjolle, “Marca”, Reali po e shikon mundësinë që të ndërrojë krejtësisht të tre sulmuesit e ekipit, duke shitur Ronaldon, Benzeman e Bejll. Emrat që shihen si zëvendësues të tyre janë Nejmar i PSZH-së, Eden Hazard i Çelzit dhe qendërsulmuesi i Bajernit të Munihut, Robert Levandovski.

Ideja për këtë riformatim të sulmit ka ardhur si pasojë e formës së dobët nëpër të cilën po kalon Reali këtë sezon, duke pasur parasysh faktin se ngec plotë 19 pikë larg Barcelonës së vendit të parë, ndërsa nuk ka bindur edhe me paraqitjet e saj në ndeshjet e Ligës së Kampionëve.

Forma e dobët e treshes aktuale në sulm konsiderohet faktor kryesor për sezonin e dobët të Realit. Ronaldo ka shënuar vetëm 4 gola në La Liga, po aq sa edhe Bardhi me fanellën e Levantes, Garet Bejll më shumë ka qenë i lënduar se sa në fushë, kurse Benzema ka dështuar të arsyetojë epitetin e sulmuesit kryesor të “mbretërve”.

Nejmar do ti kushtonte më së shumti Realit, pasi PSZH e blejti atë verën e kaluar për një shifër rekord prej 222 milionë euro nga rradhët e Barcelonës, ndërkohë që Hazard konsiderohet cak më i lehtë, njëjtë sikurse edhe Levandovski, i cili disa herë është shprehur “pro” largimit nga Bundelsiga.

Është më se e qartë se një riformatim i këtillë i sulmit madrilen do ti kushtonte më shuë kohë numrit një të kësaj skuadre, Florentino Perez, i cili gjithashtu thuhet se pëlqen shumë dyshen sulmuese, Mauro Ikardi – Hari Kejn.

Sipas “Marca”, Perez ia ka zili Paris Sen Zhermenit për suksesin e tyre të shpejtë dhe transferimet e bëra, si ai i Nejmar dhe Kilian Mbape, që po japin frutet e duhura te kjo skuadër, si dhe Barcelonës, skuadër kjo e cila disi nën heshtje, por që pagoi shuma të majme për dyshen Filipe Kutinjo – Usman Dembele.

Këto transferime të skuadrave konkurrente janë çelësi i suksesit të tyre, andaj presidenti i Realit mendon se ka ardhur koha që edhe ai të veproj në tregun botëror të futbollit, me qëllim që mos të mbetet pas tyre.

Leave a Reply