Arrestohet ekzekutuesi i futbollistit Eskobar në vitin 1994 në Kolumbi!

Një histori e tipit Narko, seria e Netflix që tregon çështjet e narkotrafikut në Kolumbi. Është 2 korriku i vitit 1994, futbollisti kolumbian i përfaqësueses Andres Escobar Saldarriaga ekzekutohet me gjashtë plumba pistolete. Në një mënyrë konsiderohet si fajtori i vetëm për eliminimin e Kolumbisë nga Botërori USA 1994. Një autogoli i tij sanksionon daljen përfundimtare të Kolumbisë që në turin e parë, të eliminuar nga amerikanët, organizatorë të turneut. Disfatë 2-1 për kolumbianët. Ai, kapiteni 27-vjeçar dhe lider i atij grupi, rikthehet në shtëpi i trishtuar për rezultatin. Por ende nuk dinte se kishte firmosur dënimin e tij me vdekje.

Në Kolumbi komandonin ata të kartelit të Cali. Futbolli është në duart e tyre, sikurse ndodhi vite më parë me Pablo Escobar, mbretin e narkotrafikantëve të kartelit të Medellin. Pablo, që me thesaret e tij ka financuar Atletico Nacional, pikërisht aty ku Andres Escobar militonte. Në mbrëmjen e datës 2 korrik, gjashtë të shtëna pistolete thyejnë heshtjen në parkingun e një lokali të Medellin. Futbollisti vdes menjëherë më pas. Ai që qëlloi është Humberto Muñoz Castro, i dënuar për krimin me 43 vite burg, i rikthyer në liri në vitin 2005. Por ajo vrasje kishte një porositës: Juan Santiago Gallon Henao, narkotrafikant të kategorisë së parë, që ka nisur të paguajë borxhet e tij ndaj drejtësisë prej vetëm pak orësh.

Në ceremoninë e varrimit të Andres Escobar morën pjesë 120 mijë persona, mes të cilëve edhe Cesar Gaviria Trujillo, president i Kolumbisë. Njerëzit janë të tronditur. Sot, pas 24 vitesh, më në fund ka drejtësi për një djalosh të mjerë, të vrarë për faj të një autogoli. Pas vdekjes së Pablo Escobar, zotërinjtë e drogës ishin ata të kartelit Cali, jo më ata të Medellin. Pas vrasjes së Andres Escobar qëndron realisht Juan Santiago Gallon Henao, i arrestuar vetëm dy ditë më parë në Cúcuta, për trafik kokaine mes Kolumbisë dhe Europës.

Gallon Henao, i njohur për forcat e rendit kolumbiane dhe amerikane, pjestar i listës së njerëzve më të rrezikshëm, të hartuar nga Clinton, kishte arritur t’i shmangej drejtësisë në procesin që e konsideronte fajtor për vdekjen e futbollistit. Zyrtarisht ai është një fermer lopësh, në të vërtetë, veç trafikut të drogës ka financuar një grup prej 300 burrave të armatosur të udhëhequr nga vëllezërit Castaños. Po, vëllezërit Castaños janë të famshmit “Los Pepes”, organizatë paramilitare që kishte detyrën për të torturuar dhe vrarë të gjithë pjestarët e kartelit të Escobar, përfshirë dhe Pablon.

Sot Gallon Henao është arrestuar, i ndaluar për trafik illegal kokaine. Tani është ushqim për më qentë dhe macet. Një hetim që çoi në arrestimin e 18 personave të tjerë. Në një mënyrë kishte dalë i palagur nga vrasja e Andres Escobar. Por më në fund drejtësia ka trokitur dy herë. Mbetet vetëm për të kuptuar se ku do të procesohet, në Kolumbi, apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Amerikanët insistojnë që të gjykohet në SHBA, ndërsa avokati i trafikantit pretendon që procesi gjyqësor të realizohet në Medellin. (Telesport)

Leave a Reply