UEFA zyrtarizon shifrat për spektatorët në futbollin europian, ja cila është skuadër është më e ndjekura

Thuajse një milion e gjysmë spektatorë në stadiumin “Kamp Nou” për të shijuar magjitë e Lionel Messit. Sipas një analize më të fundit mbi kampionatet në 55 vende europiane, Barcelona është klubi që ka shitur më tepër bileta për ndeshjet në shtëpi, në të gjithë vitin që lamë pas.

“The European Champions Report” saktëson se, 1.49 milionë bileta mblodhën “katalunasit” në tempullin e tyre të quajtur “Kamp Nou”, thuajse 78 mijë spektatorë të akomoduar në tribuna, dëshmitarë të golave dhe magjive të Lionel Messit dhe talenteve të tjera “blaugrana”.

Gjithnjë sipas analizës mbi numrin total të spektatorëve, për herë të parë 11 skuadra kanë shitur më shumë se një milion bileta secili, në ndeshjet e zhvilluara në stadiumet e tyre.

Spikatin mbi të gjithë skuadrat e Premierligës, 3 nga Bundesliga, Reali dhe Barcelona nga La Liga, ndërsa mes skuadrave që gëzojnë më shumë mbështetje, janë edhe skocezët e Seltikut.

Në vendin e dytë për shitjen e biletave është Mançester Junatedi, që vitin e kaluar në “Old Trafford” mblodhi plot 1.43 milionë spektatorë.

Nuk mund të ishte jashtë listës Borusia e Dortmundit, që mund të krenohet se është skuadra me përqindjen më të lartë të shikuesve, 79 mijë spektatorë në çdo ndeshje në “Sinjal Iduna Park”. Gjermanët janë në shkallën më të ulët të podiumit, vetëm sepse luajnë më pak ndeshje në Bundesligë, krahasuar me Anglinë dhe Spanjën. (Top Channel)

Leave a Reply