Shkëndija në gjysmëfinale të Kupës edhe në futsal

Pas ekipit të Shkëndijës në futboll të madh që ka siguruar një vend për në ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë, një gjë të tillë ka bërë edhe ekipi i futbollit në palestër, skuadër kjo e cila në çerekfinale si mysafir eliminoi ekipin e Ovçe Pole nga Sveti Nikolla, njofton “infOSport.mk”.

Shkëndija shënoi fitore me rezultatin 5:6 në këtë transfertë të vështirë, ku si vendimtare ishte paraqitja e tyre e shkëlqyeshme gjatë pjesës së parë, kur e mbyllën me shifrat 1:4.

Altin Saliu dhe Besar Abduli kontribuan me nga një gol në këtë ndeshje, teksa Fatmir Xhelili dhe Meriton Halili shënuan nga dy gola, duke i siguruar skuadrës së tyre kualifikimin historik për në gjysmëfinale. Në anën tjetër për vendasit në listën e golashënuesve u regjistruan Petar Lazev, Aleksandar Petrovski, Ikica Jovanov dhe Nikolla Stojkoviç, i cili shënoi dy gola.

Shkëndija një vend për në çerekfinale kishte siguruar pasi në 1/8 e finales kishte eliminuar Velesin, teksa tashmë  një vend për në gjysmëfinale siguroi bashkë edhe me Juventus Seravën, Crna Rekën dhe ekipin e Gemixhi nga Velesi, transmeton “infOSport.mk”.

Këta të fundit eliminuan ekipin e Zhelezarecit, Crna Reka eliminoi Ciko-n nga Gjevgjelia, teksa Juventus Serava një vend për në gjysmëfinale siguroi pasi të martën në mbrëmje eliminoi Futsal Shkupin.

Leave a Reply