Qeveria e Serbisë gjatë ditës së djeshme morri vendim që të mos lejojë zhvillimin e ndeshjes mes hendbollisteve të grupmoshave të reja të Kosovës dhe Serbisë në Kovilovo, e cila është dashur të mbahet “prapa dyerve të mbyllura”, pa praninë e mediave dhe tifozëve, stemën, flamurin dhe himnin kombëtar.
Tifozët serbë janë revoltuar një natë para lojës në Kovilovo dhe takimi është vlerësuar i rrezikshmërisë së lartë të sigurisë, me ç’rast ishte vetë Qeveria e Serbisë që morri vendimin që kjo ndeshje të mos zhvillohet edhe përkundër ndëshkimit që e priste vendin e tyre nga ana e Federatës së Hendbollit Europian.
Kjo ngjarje na bënë që të ju rikujtojmë deklaratën e trajnerit legjendar të hendbollit serb, Veselin Vujoviç, i cili dy vjet më parë kishte përmendur mundësinë që një ditë të ballafaqohen Serbia dhe Kosova.
“Edhe pse e njihnin ligën e hendbollit të Kosovës, kam dashur ta pushtoj atë me një ekip serb. Unë i thashë: Më jepni një ekip në Mitrovicë për të fituar kampionatin e Kosovës”, – kishte pohuar para dy viteve Veselin Vujoviç, i cili për hendbolldashësit në vendin tonë është shumë i njohur, duke pasur parasysh se ka udhëhequr me sukses edhe KH Vardarin, por njëkohësisht edhe përfaqësuesen e Maqedonisë.
Ndryshe nga shumë, ai nuk e shihte më problem një ballafaqim të Serbisë Kosovën, të cilën e njeh si shtet të pavarur.
“Është e njëjta gjë edhe tani. Le të merremi me sport. Unë nuk e di nëse do të ketë rrahje dhe gjak. Duhet të dalim, të fitojmë, të tregojmë se jemi më të mirë dhe jeta të vazhdoj. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve, ne e kemi humbur Kosovën. Nuk mbrohet Kosova nga një kafene e Çaçakut me këngët “Oh, Kosova”. Nuk mbrohet nga Serbia, por duke shkuar atje poshtë. Nuk do të ketë kurrë një referendum të ri dhe ju duhet të pranoni gjërat ashtu siç janë”, – kishte thënë Vujoviç.