Disfata nga Real Madridi 0:3 me shumë gjasa ka shuar ëndërrën e Xhanluixhi Bufon për të fituar trofeun e Ligës së Kampionëve Europian. Portieri i Juventusit nuk arriti që të shpëtojë skuadrën e tij përballë Kristiano Ronaldos së disponuar, ndërsa pas përfundimit të ndeshjes në Torino si një “xhentelmenë” i vërtetë pranoi klasin e lartë të kundërshtarit.
“E përjetuam në lëkurën tonë se çfarë është i aftë për të bërë Kristiano Ronaldo. Ai dhe Lionel Messi janë në një nivel të jashtëzakonshëm për të arritur gjëra fenomenale. Ata mund të barazohen lirisht me Maradonën dhe Pelen, për shkak aftësive për të vendosur ndeshjet në mënyrë individuale, dhe për shkak gjithçkaje që kanë fituar deri më tani” – tha Bufon.
“Në futboll ndodhin gabime, mirëpo përballë kishim një kundërshtarë shumë të fortë. Jam shumë i mërzitur, pasi tashmë e kemi të vështirë për të vazhduar më tej, mirëpo patjetër e kemi ta pranojmë se Reali është skuadra më fortë për momentin” – tha portieri veteran.